Operacioni “Shefi”/ 14 të arrestuar për trafik droge Shqipëri-Itali, 2.3 ton lëndë narkotike e sekuestruar 

AKTUALITET


Prokuroria e Barit në Itali ka lëshuar 14 urdhër-arreste në kuadër të një hetimi për trafikun ndërkombëtar të drogës nga Shqipëria në Itali.

Urdhërat e arrestit janë ekzekutuar nga Drejtoria e Hetimit Antimafia në Itali në kuadër të operacionit të koduar “Shefi”.


9 nga të arrestuarit janë italianë dhe 5 të tjerë shqiptarë.

Hetimet e para për të goditur këtë grup kriminal kishin nisur që në Maj të vitit 2016. Këto hetime çuan edhe në sekuestrimin e 2.3 tonëve lëndë narkotike të llojit marijuanë, kokainë dhe heroinë, me vlerë 15 milionë Euro, përgjatë periudhave të ndryshme kohore.

Operacioni i DIA-s italiane është kryer në bashkëpunim me autoritetet shqiptare. Në Mars të vitit 2018, dy organizata kriminale që vepronin në Bari, por që kishin degëzime dhe në Shqipëri, u goditën nga autoritetet italiane.

Mediat italiane raportojnë se hetuesit e DIA-s monitoronin furnizimin me drogë në Shqipëri dhe më pas lënda narkotike transportohej në Itali gjithmonë përmes detit me anë të skafeve nga bregdeti shqiptar drejt Puglias.

Nga këtej, në zonat e tjera italiane si në Siçili, Kalabri, Abruzzo etj., transporti i drogës bëhej përmes rrugëve tokësore.

Hetimet kanë qenë komplekse dhe ka shumë përgjime telefonike, përgjime ambientale, survejime dhe prova të tjera.




Skip to toolbar