Opozita e lexon “Venecian” si Meta: Rrëzoi Ramën

#NËRADAR


Partitë e opozitës dolën në një deklaratë të përbashkët për shtyp për raportin përfundimtar të Komisionit të Venecias. Ashtu si Ilir Meta, edhe opozita e lexon raportin në favorin e Presidentit. Në deklaratën e përbashkët të opozitës, sipas tyre “Ilir Meta nuk ka kryer asnjë shkelje të Kushtetutës”, ndërsa shtohet se nisma e maxhorancës për shkarkimin e tij “bie ndesh me Kushtetutën”.  “Opozita e Bashkuar përshëndet opinionin e Komisionit të Venecias që rrëzoi planin antikushtetues të Edi Ramës për të uzurpuar institucionin e Presidentit të Republikës. Komisioni i Venecias konfirmoi se Presidenti i Republikës Ilir Meta nuk ka kryer asnjë shkleje të Kushtetutës dhe se iniciativa qeveritare për shkarkimin e tij bie ndesh me Kushtetutën. Opozita e Bashkuar vlerëson rolin e Presidentit të Republikës, të konfrimuar edhe nga Komisioni i Venecias, se, me anullimin dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve, Presidenti ka ndjekur një qëllim legjitim për të shmangur konfliktet e mundshme sociale dhe për të mbrojtur demokracinë në vend”, thuhet në deklaratën e shpërndarë nga PD.

Sipas leximit, që opozita i bën raportit të Komisionit të Venecias, pohohet se Edi Rama nuk ka ndjekur rrugën kushtetutese për kundërshtimin e dekreteve të Presidentit. “Komisioni i Venecias pohon se qeveria e Edi Ramës nuk ka ndjekur rrugën kushtetuese për kundërshtimin e Dekreteve të Presidentit. As Qeveria dhe as Parlamenti monist nuk kanë sfiduar përpara asnjë gjykate Dekretet Presidenciale. Kjo nënkupton se Dekretet e Presidentit për anullimin dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve janë edhe sot në fuqi”, shtohet në deklaratë.


Në paragrafin pasardhës të reagimit të opozitës, thuhet se “Votimet moniste të 30 Qershorit, të mbajtura pa Dekret të Presidentit të Republikës, janë jo vetëm antikushtetuese, por një akt i paprecedentë në historinë e 30 viteve demokraci. Ky akt është një hap i madh prapa, që bie ndesh me vlerat dhe strandardet europiane”. Në këtë pohim, duket kontradiktor fakti që sipas opozitës, që i referohet Komisionit të Venecias se “dekreti i Metës nuk është kundërshtuar në rrugë kushtetuese”, i cilëson zgjedhjet e 30 qershorit anti-kushtetuese. Por, Komisioni i Venecias konfirmoi se bojkoti i zgjedhjeve nga opozita nuk i bënte ato anti-kushtetuese, ndërsa SHBA dhe BE, janë shprehur qartë se “ligjshmërinë ose jo të 30 qershorit do ta vlerësojë Gjykata Kushtetuese”. Madje, ky është dhe një nga kushtet e Bundestagut dhe vendeve të tjera të Bashkimit Europian, të cilët kërkojnë që pasi të ngrihet Gjykata Kushtetuese, të jepet një vendim për zgjedhjet e 30 qershorit.

Në fund, sipas opozitës, raporti i Komisionit të Venecias  konfirmoi qëllimin e Edi Ramës për kapjen e të gjitha pushteteve, duke rrëzuar propagandën për shkarkimin e Presidentit. “Opinioni konfirmoi edhe njëherë se qëllimi i vetëm i Edi Ramës është kapja e të gjitha pushteteve, rrënimi i shtetit ligjor dhe parimit të ndarjes e balancimit të pushteteve, me qëllimin e vetëm të mbrojtjes së krimit dhe korrupsionit qeveritar. Edi Rama është konfirmuar si Kryeministri i vetëm në Europë që, pasi kontrollon politikisht Parlamentin, prokurorinë, gjykatat, ekonominë, pushtetin lokal, po tenton të kapë politikisht edhe institucionin e Presidentit. Opinioni Final i Komisionit të Venecias rrëzon propagandën e Edi Ramës për shkarkimin e Presidentit, propagandë e cila mbahet në këmbë nga një komision parlamentar me mision të dështuar antikushtetues”, përfundon deklarata e opozitës./Realstory.al/




Skip to toolbar