Osmani cakton 18 dhjetorin si datë të zgjedhjeve në veri

KOSOVA


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 18 dhjetorin, datë të mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në veri.

Kështu thuhet në njoftimin e presidencës dërguar mediave më 14 nëntor.


Osmani takoi të hënën përfaqësuesit e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës.

“Dua t’i siguroj të gjithë qytetarët serbë të Kosovës se vendimi për shpalljen e zgjedhjeve është detyrim kushtetues që ka lindur nga akti i dorëheqjes së katër kryetarëve të komunave. Assesi nuk është çështje dëshire apo vendim që mund të ndryshohet, sepse nuk ka rrugë tjetër”, theksoi Osmani.

Katër komunat e banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – janë pa kryetarë qysh nga 5 nëntori. Kryetarët, të nacionalitetit serb, dhanë dorëheqje në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Ligji për zgjedhjet lokale në Kosovë thotë se “pas shpërbërjes së Kuvendit të Komunës, ose shkarkimit të kryetarit të Kuvendit Komunal, nëse nuk parashtrohet ankesë në afat prej pesë ditësh te Gjykata Kushtetuese, zgjedhjet e parakohshme lokale shpallen nga presidenti i Kosovës”.

Zgjedhjet, sipas Ligjit, shpallen jo më vonë se dhjetë ditë pas shpërbërjes së kuvendeve komunale, ndërsa nuk mund të mbahen më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërbërjes së tyre.

Presidentja tha se do t’u drejtohet me kërkesë të gjithë partnerëve ndërkombëtarë “për monitorim të zgjedhjeve dhe pjesëmarrje sa më të madhe ndërkombëtare në këtë proces zgjedhor”.

Osmani tha, gjithashtu, se duhet të bëhen përgatitjet e nevojshme edhe me institucionet e sigurisë “që procesi i fushatës zgjedhore, e më pas dita e mbajtjes së zgjedhjeve të shkojnë qetë dhe pa tensione”.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësuesit e Vetëvendosjes, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe të partive tjera minoritare në Kosovë.

Ndërsa, të pranishëm nuk ishin përfaqësuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ata të Listës Serbe.

Disa skenarë për zgjedhjet komunale në veri

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se shpallja e zgjedhjeve në katër komunat veriore është e pashmangshme, por pjesëmarrja e votuesve dhe mënyra se si do të zhvillohej procesi mbeten, sipas tij, të diskutueshme.

Cakolli thotë se, në rast se serbët në këto komuna nuk do t’i përgjigjeshin pjesëmarrjes në zgjedhje, Kosova do të rrezikonte të kthehej në periudhën e para vitit 2013, kur dalja në zgjedhje lokale në këto komuna ishte e ulët.

“Për pasojë, në atë kohë krijoheshin institucione që nuk kishin legjitimitet të mjaftueshëm qytetar”, thotë Cakolli për Radion Evropa e Lirë.

Ish-kryeshefi ekzekutiv i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Mazllum Baraliu, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë disa skenarë që mund të ndodhin në zgjedhjet e parakohshme lokale në veri.

“Një prej tyre është bojkotimi, megjithëse është alternativë më pak e mundur. Ata [kryetarët], edhe më herët, kanë dhënë dorëheqje dhe brenda afatit [ligjor] kanë konkurruar përsëri për kryetarë të komunave. Dhe, ata prapë mund t’i lënë ato mandate [të rifituara] dhe kështu të shkohet pa kufi”, thotë Baraliu.

Sipas tij, nëse qytetarët me të drejtë vote nuk i përgjigjen procesit zgjedhor, atëherë përsëriten procedurat ligjore për zgjedhjet lokale.

“Presidentja duhet ta përsërisë procedurën dhe të provojë që të realizohet procesi elektoral, që është parakusht për zhvillimin e demokracisë lokale në ato komuna”, thotë Baraliu.

Qeveria e Kosovës nisi më 1 nëntor të zbatojë planin e saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme, me gjithë insistimin e mëhershëm të komunitetit ndërkombëtar që ta shtyjë këtë plan.

Kosova kërkon që ato të zëvendësohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës. Plani i saj parashihet të zbatohet në tri faza: e para, qortimi i shoferëve; e dyta, dënimi i shoferëve me 150 euro gjobë, dhe e treta, shpërndarja e targave provuese.

Të mbështetur edhe nga Beogradi zyrtar, shumica e serbëve në veri i kundërshtojnë targat që i lëshon Republika e Kosovës, RKS, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.




Skip to toolbar