Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara nga 5 shkurti, ku do të takohet me zyrtarë amerikanë dhe do ta mbajë një fjalim në Lutjet e Mëngjesit në Uashington.
Presidenca e Kosovës njoftoi se Osmani ndodhet në SHBA me ftesë të një grupi kongresistësh amerikanë, për të marrë pjesë në Lutjet Nacionale të Mëngjesit, si dhe për të mbajtur fjalim në njërën nga ngjarjet kryesore të këtij organizimi të Kongresit amerikan.
“Me këtë rast, ajo do të flasë për rrugëtimin e popullit të Kosovës nga ditët më të vështira deri te sukseset e sotme, duke theksuar besimin e pashoq dhe qëndrueshmërinë e qytetarëve tanë”, thuhet në njoftim.
Lutjet e Mëngjesit mbahen çdo vit, zakonisht të enjten e parë të shkurtit, dhe marrin pjesë politikanë të lartë amerikanë dhe mysafirë të huaj. Ngjarja përcillet me një fjalim nga presidenti i SHBA-së.
Më herët Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi në faqen e vet se Osmani do të takohet me Louis L. Bonon, zyrtarin e lartë në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike.
Bono e mori detyrën më 20 janar, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, e filloi zyrtarisht mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë dhe Osmani do të jetë udhëheqësja e parë kosovare që takohet me një zyrtar të administratës Trump.
Osmani, e cila e kishte uruar Trumpin pasi i fitoi zgjedhjet në nëntor, në fjalimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës në fund të vitit të kaluar bëri thirrje para deputetëve për ruajtjen e marrëdhënieve me vendet aleate, duke thënë se cenimi i raporteve me këto vende e cenon vetë Kosovën./abcnews.al