Është tensionuar situata në qytetin e Kavajës ku militantët e PD-së të vendosur për të mos lejuar lirimin e zyrës së kryebashkiakut të djathtë kanë sulmuar policinë dhe prefekten e Tiranës, Suzana Jahollari e cila ka qenë e pranishme në ceremoninë e betimit të kryebashkiakut të ri.
Militantët e PD-së kishin rrethuar godinën e bashkisë mëngjesin e së martës dhe ishin të vendosur për të mos lejuar lirimin e zyrës së kryebashkiakut. Vetë Isa Sakja kryebashkiaku i djathtë në ikje tha se është në ende në punë dhe se po respekton dekretin e presidentin që është ende në fuqi dhe se në 30 qershor nuk ka patur zgjedhje.
Ndërkohë ceremonia e betimit te kryebashkiakut socialist Redjan Krali u zhvillua në ambientet e nënprefekturës.
Fill pas mbledhjes ndërsa prefektja e Tiranës, Suzana Jahollari po jepte një prononcim për mediat është sulmuar nga militantët demokratë që hidhni parrulla “Rama ik”.
Pas acarimit të situatës policia është tërhequr për të mos nxitur agravim të mëtejshëm të situatës dhe për të mos iu përgjigjur me dhunë agresivitetit të ushtruar nga militantët e PD.
Kryebashkiakët e djathtë janë duke zbatuar dokumentin e shpërndarë nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, dokument i cili është publikuar të shtunën nga realstory dhe ku lidershipi i PD-së thotë se do të mbështesë kryebashkiakët e djathtë për të mos liruar zyrat. Në dokument shkruhet se PD nuk mund ta llogarisë sesi do të reagojë populli në këto raste, duke nënkuptuar mbrojtjen me dhunë të godinave të bashkive. Gjatë të hënës nënkryetari i PD-së, Edi Paloka bëri thirrje për dhunë ndaj policisë duke iu referuar situatës në Devoll. Paloka i bënte thirrje njerëzve që të silleshin me policët njëlloj siç duhet të silleshin me një grabitës. Ky është skenari i përgatitur dhe i planifikuar nga lidershipi i PD-së fill pas zgjedhjeve të 30 qershorit.