Kanë qenë 5 persona në një mjet ku shkruhej”Hetimi Tatimor” që kanë kryer supergrabitjen pasditen e sotme në Rinas. Nga kjo ngjarje njëri nga grabitësit mbeti i vdekur, ku policia po punon për zbardhjen e identifikimin e tij.
Sipas burimeve policore të konfirmuara për News 24 autorët kanë grabitur 10 milionë euro, që i përkisnin disa kompanive të sigurimit, dhe ishin të veshur me jelek antiplumb dhe veshje të komandove.
Grabitësit kanë ndaluar avionin që sapo do nisej dhe nën kërcënimin e armëve i kanë detyruar punonjësit të zbrisnin poshtë çantat me para duke i futur në mjetin e tyre.
Historia ka ndodhur brenda një avionin me destinacion Vjenën, me 160 pasagjerë në bord, të cilët mbetën të shtangur duke mos ditur se çfarë të mendonin.
Tre nga grabitësit kanë hyrë brenda pistës dhe kanë marrë paratë, ndërsa dy të tjerë kanë qëndruar në makinë. Sapo kanë marrë paratë janë larguar duke u përballur në dalje me një patrullë të FNSH, ku ka pasur edhe një shkëmbim zjarri. Nga kjo përplasje me armë ka mbetur i vdekur njëri nga grabitësit. Trupi i tij u gjet nga policia në urën e Tapizës pa mjet identifikimi.
Policia ka gjetur mjetin me të cilin u bë grabitja, ndërsa raportohet se ka gjetur edhe një mjet tjetër të djegur mes Tapizës dhe Bathores, që dyshohet se është përdorur nga grabitësit.
Aktualisht policia ka shoqëruar në komisariat 40 persona, ndërsa forca speciale policore RENEA e FNSH, të ndihmuara nga një helikopter janë ende në ndjekje të autorëve.
Të angazhuara në operacionin e gjerë janë edhe forca nga Policia e Tiranës, Lezhës, Dibrës e Durrësit.