“Partia e re e Bardhit?”/ Zheji: Kanë treguar papjekuri politike! Minxhozi: Grup pa një lider politik

Më të fundit


Analisti Artur Zheji, në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC komentoi deklaratat e deputetit Agron Gjekmarkaj i cili tha se nëse nuk arrihet bashkimi i PD, grupi ka të drejtë të mendoje ekzistencën politike të pavarur.

Sipas Zhejit është treguar një papjekuri politike, ndërsa analisti Skënder Mixhozi shtoi se e shesh si një pozicion të zgjedhur për komoditet që mund të kalosh edhe me njërin edhe me tjetrin.


“Nuk e di nëse janë vërtet të vetëshpallur grupi i mesit, por nuk e di përse duhet të rrinë në mes. Kjo dihej që do të ndodhtë kështu. U kuptua përse u larguan nga Basha për karrierat e tyre, po pas kësaj shkëputjeje nga Basha të bashkohesh me Berishën është të sheshosh mundësitë. Gjë që u pa sapo doktori nxorri Berishën dhe ata ikën në grupin e mesit. Mendoj që kemi një papjekuri të madhe politike sepse këta njerëz janë me vizion shumë dritëshkurtër. Si mund të shkojnë tek një ujk si doktori pasi ndahen nga një qëngj si Basha. Kjo është një xhiro në vend, nuk ka ndonjë evolucion”, u shpreh Zheji.

Skënder Minxhozi: Departamenti është marrë shumë me të gjitha ngjarjet shqiptare. Unë them se për këtë grupin e mesit, mund të them se ky është një pozicion i zgjedhur për komoditet dhe mund të kalosh edhe me njëri edhe me tjetrin. Por gafat e tyre kanë nisur që ditën kur kanë vendosur të bashkojnë armët me Berishën. Nëse do të biem dakord që tre PD-të e sotme e kanë zanafillën tek shpallja e Berishës non grata, sepse ajo ishte krisja e parë, mund ta lexojmë si një shtrirje dore ndaj këtij grupi. Ideja është që në një negociatë përveç Flamur Nokës, Paloka e bashkëpunëtor të vjetër, është një numër deputetësh që identifikohen dhe do qëndrojnë me doktorin, por është një grup më i madh ku Bardhi është shpallur si kreu, por në fakt ky grup nuk ka një lider politik.

Ja çfarë deklaroi një ditë më parë në emisionin ”Real Story”, deputeti Agron Gjekmarkaj:

“Ky grup po bën gjithçka që PD të bashkohet dhe i fton të gjithë që të bashkohen rreth idesë që PD duhet të funksionojë si një e vetme. Është në proces bisedimesh me grupin e Rithemelimit dhe shpresojmë t’ja dalim. Unë mendoj që duhet të jetë një bashkim mbi parime. Pra nëse ndodh duhet të ruajë vijat e kuqe të veta, të bashkohet kundër qeverisë. Këtu po ndodhin gjëra të tmerrshme dhe duket sikur e fajin grupi i mesit. Duket sikur opozita po e keqqeveris këtë vend, ne kemi një përgjegjësi, por nuk kemi përgjegjësinë e qeverisë.

Ne duhet t’u dalim për zot përgjegjësive tona. Ka mjaft elementë që nuk kanë ngarkesa nga e kaluara, s’mund t’i akuzosh për asgjë dhe duan të kontribuojnë për një parti të madhe dhe të drejtë, por nëse nuk gjendet modusi për të respektuar diferencat, këto nuanca të ndryshme, atëherë këtij grupi i lind e drejtë të mendoje ekzistencën e vet politike të pavarur. Uroj shumë të mos ndodhë dhe të gjendet konsensus që PD të bashkohet.

Por nëse për një arsye meskine kjo nuk realizohet është e drejtë e këtyre njerëzve të mbeten në politikë të jenë përfaqësues dhe të përfaqësohen pa hyrë në konflikt. Këtë ide ndoshta unë e kam artikuluar më shumë, por edhe kolegë të tjerë e diskutojnë. Nuk përdor termin parti sepse nuk dua të kushtëzoj negociatat dhe as të bëj presion”, tha ai.




Skip to toolbar