Partizani ka mbrritur në Azerbajxhan, ku të mërkurën do të përballet me kampionët vendas, Qarabag, në ndeshjen e kthimit të turit të parë kualifikues të Champions League. Skuadra shqiptare do të synojë të bëj mrekullinë në Azerbajxhan, pas takimit të parë, që u luajt në Tiranë dhe që përfundoi në barazim 0-0. Ndonëse do të jetë shumë e vështirë, ‘Demat’ janë përgatitur për penalltitë.
“Penalltitë janë pjesë e lojës, dhe kjo do të varet nga rrjedha e ndeshjes. Nëse mbyllet sërish 0-0, atëherë duhet të jemi të përgatitur prë penalltitë”, është shprehur trajneri i Partizanit, Franco Lerda në konferencën për shtyp një ditë para ndeshjes. Më tej, tekniku italian i të “Kuqve”, ka thënë se skuadra do të bëj më të mirën, duke synuar edhe kualifikimin.
“Nuk kemi ardhur në Baku si turistë. Nesër do bëjmë më të mirën tonë. Ndeshja e parë është mbyllur tani, dhe nesër do japim maksimumin në fushë. Nuk është se duam të kemi një avantazh psikologjik ndaj rivalit. por, ne do të fitojmë nesër. Buxheti i Karabakut është disa herë më i lartë se i yni. E respektojmë kundërshtarim. Të shohim tani si do shkojë në fushë nesër”, është shprehur Lerda.
Në fund, trajneri italian, ka bërë dhe një vlerësim për kundërshtarët, duke treguar cilësinë më të mirë që ata kanë, lojën 1-1. “Ndeshja e parë konfirmoi atë që dija për Karabakun. Është një ekip shumë i fortë. Ata kanë lojtarë shumë të mirë 1 kundra 1”, ka përfunduar Lerda. Nëse Partizani kalon Qarabag të mërkurën, kampionët e Shqipërisë do të përballen në turin tjetër me fituesin e çiftit Dundalk-Riga.