Pas 4 muajsh pezullim të punës për shkak të COVID-19, rifillon shërbimi urban në kryeqytet. Ja masat e reja të sigurisë

AKTUALITET


Pasi puna e tyre u pezullua për 4 muaj për shkak të pandemisë së koronavirusit, ditën e sotme linjat e transportit urban në Tiranë kanë rinisur shërbimin. Pavarësisht rinisjes së aktivitetit, puna do të vijojë duke zbatuar edhe protokollin e sigurisë sipas dakordësisë së arritur mes kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj dhe Shoqatës së Shoqërive të Transportit Publik Urban.


Sikurse shihni edhe nga këto foto, që në orët e para të mëngjesit linjat e autobusit kanë filluar nga puna. Për të maksimalizuar sigurinë ndaj COVID-19, punonjësit e shërbimit të operatorëve si: kontrollor, dispecer, si dhe stafe të tjera plotësuese janë pajisur me maskë mbrojtëse në momentin që janë prezent në mjet gjatë kryerjes së shërbimit. Gjithashtu edhe nga ana e qytetarëve lejohet të përdorin autobusin vetëm nëse përdorin maskë, si dhe këshillohen të mbajnë një distancë sigurie.

Në stacionet e qëndrimit udhëtarët janë të detyruar të përdorin maska gjatë pritjes së autobusit. Ndërkaq, sikurse është rënë dakord mes bashkisë së Tiranës dhe Shoqatës së Shoqërive të Transportit Publik, mjetet e operimit do të dezinfektohen në mënyrë periodike në ambientet e operatorit transportues nga stafi i tij dhe mjetet e operimit në transportin qytetës/rrethqytetas për personelin e shërbimit (shoferë, faturino, kontrollorë) do të pajisen me dizinfektantë me bazë alkooli.

Në çdo mjet janë vendosur postera për respektimin e rregullave të higjienës, të rekomanduara nga OBSH-ja, të vendosura në vende të dukshme për udhëtarët.

Për zbatimin me rigorozitet të masave të sigurisë, çdo udhëtar dhe punonjës i transportit publik mban përgjegjësi personale për mosrespektimin e këtij protokolli, si dhe janë objekt kontrolli nga organet kompetente dhe masat e parashikuara në protokollin e sigurisë do të kontrollohen nga organet kompetente.