“Reforma në Drejtësi nuk mund të jetë subjekt i asnjë kompromisi dhe se ajo është një model për të gjithë rajonin dhe përtej.” ka qenë mesazhi që sekretari amerikan i Shtetit në detyrë për Çështjet Europiane dhe të Azisë, Philip Reeker ka dhënë gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderojnë se reforma në drejtësi s’mund të jetë subjekt i asnjë kompromisi dhe ajo përbën një model për rajonin dhe përtej. Bazuar mbi modelin e pakrahasueshëm të reformës në drejtësi dhe rëndësinë gjeostrategjike të thellimit të lidhjeve midis Shqipërisë dhe BE-së, SHBA-të mbështesin në mënyrë absolute hapjen e negociatave për anëtarësim në tetor.” – tha Reeker
Gjatë takimi u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneriteti i patjetërsueshëm strategjik midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ministri Cakaj tha SHBA vlerësojnë Shqipërinë si një partner strategjik dhe aleat aktiv në kuadër të NATO-s.
“Në takim u nënvizua rëndësia e konsolidimit të mëtejmë të bashkëpunimit rajonal dhe nevoja absolute e mbylljes së çështjeve dypalëshe në të gjithë hapësirën e Ballkanit Perëndimor. Angazhimi i SHBA-ve do të jetë maksimal në shërbim të realizimit të këtij objektivi. Po ashtu, Shqipëria është një partner strategjik i SHBA-ve dhe aleat aktiv në kuadër të NATO-s me kontribut të spikatur në operacionet paqeruajtëse të Aleancës. ShBA-të vlerësojnë pozitivisht rritjen progresive të buxhetit të mbrojtjes së Shqipërisë për ta jetësuar planin për realizimin e 2% të buxhetit në shërbim të mbrojtjes deri në 2024.” – shkruan Cakaj
Ditën e hënë edhe ambasadori italian, Alberto Cutillo tha për emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla se reforma në drejtësi nuk preket dhe është vija e kuqe që nuk toleron asnjë kompromis. ‘E vetmja vijë e kuqe që ne si Itali nuk do ta mbështesim asnjëherë është ndalimi dhe rishikimi i Reformës në Drejtësi.” – tha Cutillo
Ndërkombëtarët e mbështesin fortë reformën në drejtësi duke treguar se ajo është në rrugën e duhur dhe se nuk duhet ndalur duke mos pranuar asnjë lloj kompromisi në lidhje me të mes palëve politike nëse do të ketë një marrëveshje mes tyre.