Negociatat, Reeker: I zhgënjyer nga BE, tregoi mendësi të shekullit XIX

Ndihmës Sekretari i Shtetit, Philip Reeker kritikoi ashpër vendimin e Këshillit Europian për të mos hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ai i cilësoi argumentet e mos hapjes si mendësi të shekullit të 19-të. Edhe pse Reeker nuk foli me emra konktretë, të gjithë ndërkombëtarët kritikuan Macron për veton që vendosi për të bllokuar procesin e zgjerimit të BE, me arsyetimin e vendi duhet të zgjidhë problemet brenda vetes.

Reeket tha se SHBA mbështet integrimin e Ballkanit dhe se të dy vendet kanë bërë përparim për të merituar hapjen e tyre.

Ne u zhgënjyem shumë dhe sekretari Pompeo e bëri të qartë këtë kur Këshilli nuk dha një vendim pozitiv për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Perspektiva europiane dhe ideja se këto dy vende duan t’i bashkohen BE ka qenë një pikë kyçe e politikës tonë. Ne nuk jemi pjesë e BE, por kemi mbështetur në mënyra diplomatike që këto vende të ecin drejt BE. Është shumë zhgënjyese që disa liderë që kanë një pikëpamje të shekullit të 19-të në lidhje me Ballkanin Perëndimor.” tha Reeker gjatë një interviste për Radio Europa e Lirë

SHBA ka kritikuar edhe më herët vendimin e BE për bllokimin e procesit të zgjerimit, si një vendimi që i hap rrugë armiqve dhe dashakeqëve në rajonin e Ballkanit.

Reeker, opozitës: Fund bojkotit, zgjidhni krizën sipas Kushtetutës

Philip Reeker, ndihmës sekretar Shteti për Euroazinë, i ka dhënë një tjetër shuplakë opozitës në lidhje me aksionin e saj opozitar të ndjekur gjatë këtyre muajve si dhe kanë bërë thirrje për dialog.

Pas paralajmërimeve të DASH se do ta shpallnin opozitën organizatë kriminale nëse nuk distancohej nga dhuna, tashmë SHBA po rrisin zërin e tyre për arritjen e një marrëveshje politike përmes dialogut. Reeker tha se bojkoti i institucioneve dhe zgjedhjeve nga opozita nuk ishte ajo që SHBA shpresonte të shihte duke i dhënë një tjetër goditje opozitës, duke i rikujtuar asaj vendimet e gabuara që ka marrë gjatë 5 muajve të fundit.  Ndihmës sekretari i Shtetit për Euroazinë, Reeker theksoi se opozita dhe qeveria duhet ta zgjidhin situatën politike brenda kuadrit kushtetues dhe të përdorin institucionet e ligjit për çdo mosmarrëveshje mes tyre.

“Shqipëria duhet të përdorë institucionet e saj në mënyrë që të kalojë gjendjen e sotme politike. Bojkotimi i tyre nuk është ajo që shpresuam të shohim. Ata duhet ta zgjidhin situatën brenda kuadrit kushtetues!”, ka deklaruar Philip Reeker, gjatë samitit në Uashington. Këto deklarata të Reeker u publikuan në Twitter nga ambasadorja e Shqipërisë në SHBA, Floreta Faber.

Ndërkohë, pas reagimit të ambasadores shqiptare në SHBA, ka qenë Zëri i Amerikës që ka publikuar më të plotë pjesë nga deklarata e zyrtarit të DASH. “Nuk jemi krenarë me shqiptarët këto javët e fundit, sepse ata nuk përdorën institucionet që kanë. Nuk mundet që thjesht të bojkotosh parlamentin ose të dorëzosh mandatet. Ato institucione duhen përdorur, duhen përdorur gjykatat, duhet të emërohen anëtarët e gjykatës kushtetuese, që përmes Kushtetutës dhe përdorimit të këtyre mjeteve të tejkalohen kohët e vështira politike. Shtetet e Bashkuara nuk do të bëhen arbitër i politikave të brendshme të Shqipërisë, por ne do të vazhdojmë të inkurajojmë të gjitha palët të punojnë së bashku me institucionet dhe të bëjnë hapat e duhur që të ecin përpara. Dhe nëse institucionet nuk bëjnë punë, atëherë puno që t’i ndryshosh ato, nëpërmjet mjeteve kushtetutese që keni”, është shprehur Reeker.

Ditën e martë Reeker dha një tjetër mesazh të fortë duke deklaruar se dialogu duhet të fillojë dhe të diskutohen të gjitha çështjet e mbetura pezull, përveç Reformës në Drejtësi, ajo nuk duhet të preket.

“Reforma në Drejtësi nuk mund të jetë subjekt i asnjë kompromisi dhe se ajo është një model për të gjithë rajonin dhe përtej.” tha Reeker gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm në detyre, Cakaj.

Mesazhet e vazhdueshme të dërguara nga ndërkombëtarët duket se kanë sjellë një tërheqje të opozitës, e cila ka zbutur gjuhën në drejtim të kërkesave të saj duke “harruar” largimin e Ramës dhe krijimin e një qeverie tranzitore dhe duke dhënë sinjale për një dialog të mundshëm. Gjatë ditës së mërkurë opozita e bashkuar ka zhvilluar një takim në Vjenë me sekretarin e Përgjithshëm të OSBE, Thomas Greminger, në tentativa për të kërkuar një mbështetje ndërkombëtare dhe mundësimin e kushteve për nisjen e një dialogu mes qeverisë dhe opozitës.  Kjo tërheqje e opozitës, ka marrë sinjale pozitive edhe nga Kryeministri Edi Rama, i cili i ka shtrirë sërish dorën e dialogut.

Pas Cutillos edhe Reeker: Reforma nuk preket!

“Reforma në Drejtësi nuk mund të jetë subjekt i asnjë kompromisi dhe se ajo është një model për të gjithë rajonin dhe përtej.” ka qenë mesazhi që sekretari amerikan i Shtetit në detyrë për Çështjet Europiane dhe të Azisë,  Philip Reeker ka dhënë gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderojnë se reforma në drejtësi s’mund të jetë subjekt i asnjë kompromisi dhe ajo përbën një model për rajonin dhe përtej. Bazuar mbi modelin e pakrahasueshëm të reformës në drejtësi dhe rëndësinë gjeostrategjike të thellimit të lidhjeve midis Shqipërisë dhe BE-së, SHBA-të mbështesin në mënyrë absolute hapjen e negociatave për anëtarësim në tetor.” – tha Reeker

Gjatë takimi u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera dhe  partneriteti i patjetërsueshëm strategjik midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ministri Cakaj tha SHBA vlerësojnë Shqipërinë si një partner strategjik dhe aleat aktiv në kuadër të NATO-s.

Në takim u nënvizua rëndësia e konsolidimit të mëtejmë të bashkëpunimit rajonal dhe nevoja absolute e mbylljes së çështjeve dypalëshe në të gjithë hapësirën e Ballkanit Perëndimor. Angazhimi i SHBA-ve do të jetë maksimal në shërbim të realizimit të këtij objektivi. Po ashtu, Shqipëria është një partner strategjik i SHBA-ve dhe aleat aktiv në kuadër të NATO-s me kontribut të spikatur në operacionet paqeruajtëse të Aleancës. ShBA-të vlerësojnë pozitivisht rritjen progresive të buxhetit të mbrojtjes së Shqipërisë për ta jetësuar planin për realizimin e 2% të buxhetit në shërbim të mbrojtjes deri në 2024.” – shkruan Cakaj

Ditën e hënë edhe ambasadori italian, Alberto Cutillo tha për emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla se reforma në drejtësi nuk preket dhe është vija e kuqe që nuk toleron asnjë kompromis. ‘E vetmja vijë e kuqe që ne si Itali nuk do ta mbështesim asnjëherë është ndalimi dhe rishikimi i Reformës në Drejtësi.” – tha Cutillo

Ndërkombëtarët e mbështesin fortë reformën në drejtësi duke treguar se ajo është në rrugën e duhur dhe se nuk duhet ndalur duke mos pranuar asnjë lloj kompromisi në lidhje me të mes palëve politike nëse do të ketë një marrëveshje mes tyre.

Skip to toolbar