Reeker, opozitës: Fund bojkotit, zgjidhni krizën sipas Kushtetutës

Më të fundit


Philip Reeker, ndihmës sekretar Shteti për Euroazinë, i ka dhënë një tjetër shuplakë opozitës në lidhje me aksionin e saj opozitar të ndjekur gjatë këtyre muajve si dhe kanë bërë thirrje për dialog.

Pas paralajmërimeve të DASH se do ta shpallnin opozitën organizatë kriminale nëse nuk distancohej nga dhuna, tashmë SHBA po rrisin zërin e tyre për arritjen e një marrëveshje politike përmes dialogut. Reeker tha se bojkoti i institucioneve dhe zgjedhjeve nga opozita nuk ishte ajo që SHBA shpresonte të shihte duke i dhënë një tjetër goditje opozitës, duke i rikujtuar asaj vendimet e gabuara që ka marrë gjatë 5 muajve të fundit.  Ndihmës sekretari i Shtetit për Euroazinë, Reeker theksoi se opozita dhe qeveria duhet ta zgjidhin situatën politike brenda kuadrit kushtetues dhe të përdorin institucionet e ligjit për çdo mosmarrëveshje mes tyre.


“Shqipëria duhet të përdorë institucionet e saj në mënyrë që të kalojë gjendjen e sotme politike. Bojkotimi i tyre nuk është ajo që shpresuam të shohim. Ata duhet ta zgjidhin situatën brenda kuadrit kushtetues!”, ka deklaruar Philip Reeker, gjatë samitit në Uashington. Këto deklarata të Reeker u publikuan në Twitter nga ambasadorja e Shqipërisë në SHBA, Floreta Faber.

Ndërkohë, pas reagimit të ambasadores shqiptare në SHBA, ka qenë Zëri i Amerikës që ka publikuar më të plotë pjesë nga deklarata e zyrtarit të DASH. “Nuk jemi krenarë me shqiptarët këto javët e fundit, sepse ata nuk përdorën institucionet që kanë. Nuk mundet që thjesht të bojkotosh parlamentin ose të dorëzosh mandatet. Ato institucione duhen përdorur, duhen përdorur gjykatat, duhet të emërohen anëtarët e gjykatës kushtetuese, që përmes Kushtetutës dhe përdorimit të këtyre mjeteve të tejkalohen kohët e vështira politike. Shtetet e Bashkuara nuk do të bëhen arbitër i politikave të brendshme të Shqipërisë, por ne do të vazhdojmë të inkurajojmë të gjitha palët të punojnë së bashku me institucionet dhe të bëjnë hapat e duhur që të ecin përpara. Dhe nëse institucionet nuk bëjnë punë, atëherë puno që t’i ndryshosh ato, nëpërmjet mjeteve kushtetutese që keni”, është shprehur Reeker.

Ditën e martë Reeker dha një tjetër mesazh të fortë duke deklaruar se dialogu duhet të fillojë dhe të diskutohen të gjitha çështjet e mbetura pezull, përveç Reformës në Drejtësi, ajo nuk duhet të preket.

“Reforma në Drejtësi nuk mund të jetë subjekt i asnjë kompromisi dhe se ajo është një model për të gjithë rajonin dhe përtej.” tha Reeker gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm në detyre, Cakaj.

Mesazhet e vazhdueshme të dërguara nga ndërkombëtarët duket se kanë sjellë një tërheqje të opozitës, e cila ka zbutur gjuhën në drejtim të kërkesave të saj duke “harruar” largimin e Ramës dhe krijimin e një qeverie tranzitore dhe duke dhënë sinjale për një dialog të mundshëm. Gjatë ditës së mërkurë opozita e bashkuar ka zhvilluar një takim në Vjenë me sekretarin e Përgjithshëm të OSBE, Thomas Greminger, në tentativa për të kërkuar një mbështetje ndërkombëtare dhe mundësimin e kushteve për nisjen e një dialogu mes qeverisë dhe opozitës.  Kjo tërheqje e opozitës, ka marrë sinjale pozitive edhe nga Kryeministri Edi Rama, i cili i ka shtrirë sërish dorën e dialogut.




Skip to toolbar