PD: 5 mashtrimet e Maznikut në Real Story

POLITIKË


Partia Demokratike ka sulmuar nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës mbi deklaratat e tij për Kopshtin Botanik në emisionin Real Story të Sokol Ballës, duke vënë në dukje se ai bëri pesë mashtrime sa i përket cenimit të ligjit për kompetencat e Universitetit dhe për investimin që bashka pretendon të bëjë në këtë pronë.

Ish deputeti i PD, Luciano Boçi, deklaroi se nënkryetari Bashkisë Tiranë, Mazniku, mashtroi në emisionin Real Story për grabitjen e Kopshtit Botanik nga Qeveria e Bashkia Tiranë dhe iu shmang pyetjeve të bëra nga paneli për pesë çështje.


“Mashtroi kur u përpoq të argumentonte se Kopshti Botanik nuk është pronë e Universitetit të Tiranës por vetëm në administrim. Kopshti Botanik është pjesë e pronësisë së paluajtshme në administrim të Universitetit të Tiranës. Ai është regjistruar në inventarin e pronave të Universitetit, me VKM nr. 430 të datës 02/07/2014 dhe është përllogaritur nga Agjencia Britanike e Akreditimit si pronë e tij. Juridikisht ajo pronë i takon Universitetit dhe spekulimi i Maznikut me termin administrim nuk ka vlerë. Vetë Ligji i Arsimit të Lartë, në nenin 117, thotë qartë pajtimin midis këtyre termave”, tha Boçi, duke cituar nenin se pronat e paluajtshme, në të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre institucionet publike të arsimit të lartë, që i shërbejnë institucionit për të garantuar përmbushjen e misionit të tij, kalojnë në administrim të institucioneve, me vendim të Këshillit të Ministrave, pas propozimit të ministrit përgjegjës për arsimin.

Po ashtu, ish deputeti i PD deklaroi se Manziku mashtroi kur deklaroi se për të investuar në këtë hapësirë ajo duhet të bëhet medoemos pronë e Bashkisë. “Bashkia mund dhe duhet të financojë Universitetin. Këtë ia njeh si detyrim dhe si të drejtë Ligji i Arsimit të Lartë në nenin 48 për përbërjen dhe krijimin e Bordit të Administrimit. Në rastet kur njësia e qeverisjes vendore, në territorin e së cilës zhvillon veprimtarinë institucioni i arsimit të lartë, kontribuon financiarisht, së paku në masën prej dhjetë për qind të buxhetit afatmesëm të IAL-së, atëherë një prej përfaqësuesve, që i takon ministrisë përgjegjëse për arsimin, përcaktohet nga njësia e qeverisjes vendore”, u shpreh PD.

Po ashtu, PD deklaroi që Mazniku ka mashtruar edhe kur tha se “VKM-ja 510 për grabitjen e Kopshtit Botanik nuk cenon autonominë universitare”, megjithëse pranoi që e njeh ligjin dhe madje ka qenë një nga promovuesit e mbrojtësit kryesorë të tij. “Vetë ligji që Mazniku e mbronte me aq zjarr dikur,  e përcakton në nenin 3, të tij se autonomia midis të tjerash është e drejtë për të krijuar të ardhura nëpërmjet veprimtarisë shkencore dhe jo që këto t’i marrë bashkia”, tha ish-deputeti i opozitës, i cili shtoi se nënkryetari i Bashkisë Tiranë ka mashtruar edhe për iniciativën e saj për bashkë administrimin me Fakultetin. “Bashkia nuk ka një marrëveshje me Universitetin, madje janë në gjyq, pavarësisht se tërthorazi. Nuk ka organizuar dëgjesa dhe nuk ka paraqitur asnjë plan zhvillimor.  Mashtron, sepse bashkia sipas ligjit për pushtetin lokal, por dhe VKM-së 510, pronat i merr për funksione lokale dhe jo  për funksione të enteve të tjera publike. Dhe pasi i merr ajo nuk asnjë detyrim ligjor të respektojë ndonjë marrëveshje sepse i pronëson për funksionet e veta, duke përjashtuar sipas dëshirës Fakultetin e Shkencave të Natyrës”, tha PD, duke vënë në dukje se VKM 510  ia jep këtë të drejtë, pasi cilësohet se kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë të disa pasurive të paluajtshme me vendndodhje në zonën kadastrale 3292 (Kopshti Botanik), Tiranë, për t’i përdorur për ushtrimin e funksioneve të veta.

 “Mazniku mashtroi kur tha se VKM 510 i vendos kushte për marrëveshje detyruese apo mosndryshim destinacioni dhe ajo, Bashkia nuk mund ta bëjë një gjë të tillë kurrsesi. Pra sipas Maznikut VKM-ja nuk ia lejon ndryshimin e destinacionit këtyre puritanëve ta bëjnë këtë mëkat. Këtu qëndron dhe shpjegimi i vërtetë i insistimit diabolik për të rrëmbyer 15 ha të Kopshtit Botanik, duke u fshehur pas iniciativave kalorsiake për dëshira investuese. Këto nëse janë, mund të realizohen pa qenë fare nevoja për ta marrë Kopshtin Botanik në pronësi. Por Mazniku nuk tha të vërtetën tronditëse. Të vërtetën se pas disa viteve, bashkia mund të bëjë ç’të dojë me këtë pronë. Vërtet në VKM ka pika që e detyrojnë një gjë të tillë por kjo është krejt e përkohshme. Ligji për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore, i njeh të drejtën Bashkisë që pas tre vitesh të kërkojë heqjen e kushteve dhe pastaj nga shesh me lule ta bëjë përshesh me ndërtime hapësirën prej 15 ha”, deklaroi PD.




Skip to toolbar