Analisti Arben Meçe u shpreh se kontrata e lobimit të PD, është një krim zgjedhor. Gjatë një intervistë në “News Line” në ABC News, Meçe theksoi se SPAK duhet sa më shpejt që shpallë zyrtarisht hetimin.
Sipas tij lidhur me këtë çështje duhet të ketë edhe një qëndrim nga SHBA.
“SPAK sa më shpejt të jetë e mundur është i vonuar për të shpallur zyrtarisht hetimin. Kush e nxori kontratën? Kjo duhet thënë. Kur kontrata del nga burimet e PD, mund të themi se ka bërë transparencë. Por jo sepse u nxor nga një grup investigativ. Kjo është një kontratë e pastër lobimi, nga një kompani lobiste dhe drejtpërdrejt nga sekretari i Përgjithshëm i PD, këto janë palët. Tani është nxjerrë një fondacion që pretendohet që ka paguar apo do paguajë paratë, kjo nuk është e vërtetë”, tha Meçe.
Gjatë intervistës, Meçe tha se deri më sot nuk ka asnjë dokument që paguesi është elektriçisti nga Tropoja dhe se sipas tij, kjo nuk është aspak e vërtetë.
“Ai nuk ka as kohë fizike dhe asnjë instrument. Nuk ka asnjë shenjë që këto janë mbledhur… Është e pamundur që të mbledhësh aq shumë para në një kohë të shkurtër. Në kontratë sipërmarrës janë PD dhe shoqëria lobuese. Kemi të bëjmë me një kontratë që është kontratë në fushatë elektorale…Kemi të bëjmë me një kontratë absolutisht të implikuar me fushatë elektorale. Në Shqipëri ka një legjislacion për mënyrën se si bëhet financimi nga subjekte, parti dhe individë”, tha më tej Meçe.
Gjithashtu shtoi se sipas tij tashmë jemi në kushte edhe të pastrimit të parave dhe shkeljes së ligjit mbi financimin e partive.
“Kontrata e lidh çdo gjë me fushatë elektorale. Gjithë propagandë e Berishës flet për prezencë të Berishës në korridoret e Trump. Ky përdorim na ballafaqon me një situatë që në themel nuk ka vetëm shkelje të ligjit, por sipas kësaj kontrate na del që SHBA janë një gjobvënës botëror që shesin dhe blejnë moralin. Pra Berisha i jep të drejtë vetes të shkojë në Amerikë dhe me 6 milion euro të blejë moralin. Por SHBA nuk është kjo. Por po të shohim lufta e Trump gjatë gjithë kësaj kohe ndesh me këtë filozofi…Unë pretendoj që të ketë një qëndrim të qartë edhe nga SHBA sepse kjo kontratë në mënyrën se si është interpretuar në Shqipëri ka implikuar. Këtu po flitet që Trump blihet…Ngjarja afekton në mënyrë të drejtpërdrejtë në procese zgjedhore. Po abuzohet me faktin që gjithë administrata rrotull Trump janë në dispozicion të Saliut…Jemi në një lëvizje që afekton procesin ligjor, një dyshim i arsyeshëm për zbardhje parash dhe të gjitha këto kërkojnë hapjen e çështjesh dhe fillimin e procedimit të individëve të përfshirë”, tha mes të tjerash ai.