“Për Berishën po veprohet me standard të dyfishtë”, Iris Luarasi: Vazhdon njësoj si në ’98

Më të fundit


Pedagogia dhe aktivistja e njohur, Iris Luarasi, në një intervistë për emisionin “Real Story” me gazetarin Sokol Balla komentoi mënyrën e mbulimit të çështjeve të rëndësishme të drejtësisë, ku më e fundit është ajo e inceneratorit të Tiranës. Ajo theksoi se gjykata duhet të ‘flasë’ para mediave.

“Mendoj se pjesa e fundit ka qenë shumë zhurmë për asgjë sepse me aq sa kuptova shikon se jepen urdhër arreste dhe arrest shtëpie për 15 anëtarë të një komisioni që është marrë një vendim. Në momentin që bën këtë gjë nuk më duket se të gjithë anëtarët e komisionit kanë të njëjtën peshë nga pikëpamja e kësaj sepse ka njerëz që përfaqësojnë institucionet, që aty ndoshta nuk kanë një zë të fortë dhe mendoj që çdo gjë që ka pasur lidhje me inceneratorët tashmë ishte e zbuluar ndaj jam kundra kësaj teorisë që përpara se të bëheshin hetimet dhe mediatizimi, ti i fut njerëzit në burg. Mendoj se njerëzit prezumohen të pafajshëm deri në momentin që jep një verdikt gjykata.

Ne në fakt i prezumojmë ata menjëherë të fajshëm dhe pjesërisht kemi faj edhe ne si media, dhe pjesërisht edhe qasja për t’i arrestuar njerëzit dhe për t’i mbajtur në burg. Sepse kur futesh në burg, de facto je një njeri që ke bërë një krim. Nuk mendoj se duhet t’i mbushim burgjet me njerëz që janë vetëm të dyshuar për një krim, por të mbushen me njerëz që janë të vërtetuar nga gjykata që janë kriminel, që kanë kryer korrupsion. Nuk mendoja se Malltezi ishte rrezik për njerëzimin, do të kryente krime apo do të largohej nga Shqipëria. Ti mund ta mbash atë në arrest shtëpie deri në momentin që e vërteton se ai ka kryer një çështje korruptive”, u shpreh Luarasi.

Ajo u ndal edhe tek rasti i Sali Berishës, i cili prej disa javësh po sfidon SPAK dhe GJKKO-në në lidhje me hetimet që po kryhen në kuadër të çështjes Partizani. Teksa gazetari Sokol Balla përmendi rastin e inceneratorit të Tiranës dhe të Berishës, ajo u pyet nëse mund të ketë një ‘republikë të prokurorisë’.

Në fakt tani për SPAK, prokurorët flasin çdo ditë në media. Janë kryefjala e çdo headline mediatik. Flasin të gjithë prime time-t, janë në çdo media online. Nuk ka nevojë për kaq shumë mediatizim sepse do të vlerësoja një Prokurori që punon pa pasur nevojë për mbështetjen e medias. Mendoj se publikimet duhet të bëhen kur jepet vendimet nga gjykata. Nuk i bën mirë profesionalisht edhe Prokurorisë dhe SPAK. Tek Berisha kemi double standard sepse kemi një njeri që ka qenë në pozicione të rëndësishme dhe që nuk pranon urdhrat e Prokurorisë. Nuk ka pranuar urdhrin në 1998 kur e ka thirrur Prokuroria dhe vazhdon të jetë i njëjti Berishë në 2023 dhe nuk merret asnjë masë. Nga ana tjetër, nuk mendoj se Prokuroria 2023 duhet të sillet si prokuroria e 1998.“, shtoi Luarasi.



Skip to toolbar