Për herë të parë në 134 ditë forcat ruse nuk përparojnë, Zelensky: Në Jug ka filluar kundërsulmi

BOTA


Lufta në Ukrainë ka mbërritur në ditën e saj numër 134, dhe sipas Institutit për Studimin e Luftës, që del me raporte ditore mbi përballjen e dy ushtrive, kjo datë duhet shënuar sepse për herë të parë nga shkurti forcat ruse nuk kanë deklaruar avancim ose kontrollin e një territori të ri në Ukrainë.

Sipas Institutit, kjo dëshmon se pas pushtimit të Severodonetsk dhe Lychyansk, që përmbylli kontrollin e rajonit të Luhanskut, rusët kanë vendosur të riorganizohen duke forcuar mbrojtjen e këtyre territoreve, duke i dhënë ndoshta disa ditë pushimi forcave ushtarake tejet të lodhura.


Kjo nuk do të thotë që kanë munguar sulmet gjatë gjithë frontit të Donetskut. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky foli në veçanti për shkatërrimin e universitetit në Kharkiv, qytetin e dytë më të populluar të vendit, që sipas tij, dëshmon që rusët po tregohen si “armiqtë të njerëzimit dhe dijes”.

Gjithsesi, Zelensky nënvizoi se ardhja e armëve perëndimore po jep efekte domethënëse në atë që ai quan si kundërsulmin ukrainas. Pas largimit të forcave ruse nga Ishulli i Gjarpërinjve dhe rivendosja aty e flamurit ukrainas, sipas Kievit forcat e saj po avancojnë në jug në drejtim të Kherson dhe Zaporizhia. Por në lindje, në Donbas pritet të ngrihen sërish tymnaja në një qytet tjetër, Sloviansk, banorët e të cilit po evakuohen paraprakisht.




Skip to toolbar