Baze: Përpjekja për të “zbërthyer” mesazhet e Veliajt

Më të fundit


Nuk prisja që opozita të futej në garë kush të zbërthente i pari mesazhet e Erion Veliajt lidhur me arrestimet e zyrtarëve të tij. Berisha dha i pari direktivën që duhen trajtuar si mesazhe mafioze të koduara kundër Edi Ramës.

Pastaj Gazment Bardhi si ilustrues shtoi një mesazh të koduar dhe për drejtësinë. Të tjerë që i mbajnë ison këtij konspiracioni absurd, shtojnë dhe mesazhe të koduara për të burgosurit e tij.


Në fakt mesazhe të “koduara” dërgojnë ata që janë të fuqishëm, të paprekshëm dhe që i ka frikë gjithë shoqëria.

Erion Veliaj sot nuk është as i fuqishëm, as i paprekshëm dhe mbi të gjithë, as i frikshëm. Ai është një udhëheqës politik që i kanë arrestuar së paku tre zyrtarë të rëndësishëm, që drejtësia e ka thirrur, e ka pyetur, e ka hetuar. Dhe është ende në një proces të gjatë hetimi gjithë puna e Bashkisë së tij.

Ai është sot njeriu më i sulmuar nga opozita, shtypi dhe shoqëria civile, dhe nuk ka asnjë tipar të ndonjë njeriu të paprekshëm. Është më shumë se i prekshëm. Kështu që një njeri kaq i sulmuar, i prekshëm nga drejtësia, shtypi dhe politika, nuk ka as arsye dhe as mundësi të dërgojë mesazhe të koduara.

E vetmja që mund të bëjë, është të flasë hapur dhe të bëjë betejë politike për dështimet dhe sukseset e tij. Dhe atë po e bën.

Por fakti që opozita po përpiqet ta trajtojë ende si njeri të fuqishëm, që operon me kode mafioze, nuk tregon se opozita ka një mbivlerësim për të, por tregon se kjo opozitë të pranon gjithçka, përveç faktit që ti nuk duhet të pranosh ndëshkueshmërinë.

Dhe mllefi ndaj Erion Veliajt nga opozitarët është mllef që ai u rreshtu në llogoren e atyre që pranon drejtësinë dhe ndëshkueshmërinë. Pranimi i ndëshkueshmërisë dhe vendimeve të drejtësisë, është një hendek ndarës sot në politikën shqiptare, mes atyre që janë njësoj të prekur nga drejtësia. Dhe të prekur nga drejtësia sot janë kupola e Partisë Socialiste, me zëvëndeskryeministra, ministra, deputetë e zyrtarë të lartë, dhe ish- kupola e vjetër e pushtetit Berisha- Meta etj.

Në këtë beteje Berisha dhe Meta janë duke kërkuar aleanca për t’u bërë bashkë kundër drejtësisë së re. Dhe tërbimi ndaj Veliajt pse pranoi ndëshkueshmërinë, ka të bëjë pikërisht me këtë. Ata t’i falin të gjitha, përveç faktit që dikush t’i lërë të vetëm, pa aleanca politike para drejtësisë.




Skip to toolbar