Një konflikt me armë zjarri mes disa personave mund të kishte një fund fatal, nëse policia nuk do kishte ndërhyrë në kohë. Shtetasi me iniciale A.B., 26 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri tip pistoletë në ajër, gjatë një konflikti fizik me disa persona në lagjen 18 në Durrës. Shkrepja e armës ka bërë që banorët të lajmërojnë menjëherë policinë.
Sapo panë policinë, personat e përfshirë në konflikt u larguan menjëherë në drejtime të ndryshme, ndërsa 26-vjeçari me armë zjarri u largua me një makinë së bashku me shokun e tij, E.K., 30 vjeç.
“Arratisja” e tyre nuk ka zgjatur shumë pasi janë ndaluar pas pak minutash nga policia duke përfunduar në pranga. Gjatë kontrollit policia ka sekuestruar armën tip pistoletë me të cilën është qëlluar në ajër si dhe makinën me të cilën, dy personat u larguan duke mos iu bindur urdhrit të policisë.
Dy të arrestuarit nuk janë të panjohur për policinë, pasi mbi ta rëndojnë precedentë të mëparshëm penal që nga sulmet fizike ndaj personit deri tek kundërshtimi i efektivëve të policisë.
