Përshkallëzohen tensionet me Kinën, këshilltari i sigurisë kombëtare i Filipineve bën thirrje për dëbimin e diplomatëve kinezë

BOTA


Këshilltari i sigurisë kombëtare i Filipineve bëri thirrje të premten për dëbimin e diplomatëve kinezë pas bërjes publike të një bisede telefonike me një admiral filipinas. Publikimi i bisedës përshkallëzoi tensionet tashmë të larta mes dy vendeve në lidhje me Detin e Kinës së Jugut.

Ambasada kineze në Manila ka orkestruar “veprime të përsëritura ndërhyrëse dhe shpërndarje të dezinformimit dhe keqinformimit”, me objektiv mbjelljen e mosmarrëveshjeve, ndasive dhe përçarjes, u shpreh në një deklaratë këshilltari i sigurisë kombëtare të Filipineve, Eduardo Ano.

Këto veprime “nuk duhet të lejohen të kalojnë pa një ndëshkim serioz”, tha ai.

Ambasada e Kinës në Manila nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për të komentuar për thirrjet për dëbimin e diplomatëve. Zyra e presidentit të Filipineve, Ferdinand Marcos Jr. dhe ministria e jashtme nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Dy vendet kanë pasur një sërë përballjesh të tensionuara gjatë vitit të fundit në lidhje me zonat e debatueshme të Detit të Kinës së Jugut. Të inkurajuara nga mbështetja e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve, Filipinet kanë shtuar aktivitetin në ujërat ku patrullojnë anije të shumta të rojes bregdetare kineze.

Kina i ka akuzuar Filipinet për shkelje të ujërave territoriale dhe për pabesi, ndërsa Manila e ka kritikuar ashpër Pekinin për atë që e quan politikë agresioni dhe manovra të rrezikshme brenda zonës ekonomike ekskluzive të Filipineve.

Dëbimi i diplomatëve mund t’i shtojë tensionet tashmë të larta. Ka patur nota proteste diplomatike dhe përplasje me anijet filipinase përreth dy ishujve ranorë, më i afërti i të cilëve gjendet 850 kilometra nga vija bregdetare kineze.

Zoti Ano iu referua njoftimeve të lajmeve këtë javë për bërjen publike të një telefonate mes një diplomati kinez dhe një admirali filipinas, që diskutonin për një mosmarrëveshje në Detin e Kinës Jugore. Regjistrimet e publikuara shoqëroheshin edhe me një transkriptim të bisedës, gjatë së cilës admirali filipinas bie dakord për t’i bërë lëshime Kinës.

Sipas përmbajtjes së telefonatës së publikuar nga gazeta The Manila Times, admirali pranoi një propozim të Kinës për “një model të ri”, sipas të cilit Filipinet do të përdornin më pak anije për të furnizuar forcat e tyre ushtarake në ishullin e dytë ranor Thomas dhe do të njoftonin Pekinin paraprakisht për këto misione.

Agjencia e lajmeve Reuters nuk arriti ta dëgjojë regjistrimin e bisedës në fjalë dhe nuk mundi të verifikojë përmbajtjen e transkriptit të publikuar. Sipas njoftimeve, biseda kishte ndodhur në janar dhe përmbajtja e saj ishte ofruar nga “një zyrtar i lartë kinez”, emri i të cilit nuk u bë i ditur.

‘Operacionet e ndërhyrjes’

Zoti Ano tha se ai mbështeti thirrjen e ministrit të mbrojtjes që ministria e jashtme të ndërmarrë veprimet e duhura kundër zyrtarëve të ambasadës. Zoti Ano pretendoi se ata regjistruan një bisedë telefonike në kundërshtim me ligjet e Filipineve, përfshirë ligjin kundër përgjimit, si dhe bënë shkelje të rënda të protokolleve diplomatike.

“Ata individë në ambasadën kineze… dhe ata që janë përgjegjës për këto operacione të ndikimit keqdashës dhe ndërhyrjes duhet të largohen menjëherë nga vendi”, tha ai.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Lin Jian tha të mërkurën se ambasada në Manila kishte publikuar detaje në lidhje me “komunikimet përkatëse” midis dy vendeve për menaxhimin e situatës në lokacionin ‘Second Thomain Shoal’, ku Filipinet kanë vendosur njësi ushtarake në një anije luftarake të ankoruar.

Zoti Lin nuk dha hollësi se cilat detaje apo komunikime u publikuan, ose kur, por tha se “faktet janë të qarta dhe të mbështetura nga prova të forta që nuk mund të mohohen”.

“Filipinet këmbëngulin duke mohuar këto fakte objektive dhe synojnë të mashtrojnë komunitetin ndërkombëtar”, shtoi zoti Lin.

Kina ka qenë prej kohësh e shqetësuar nga dërgimi i një grupi të vogël ushtarësh nga Filipinet në zonën ‘Second Thomas Shoal’ duke i vendosur ata në bordin e një anijeje të ndryshkur që u ndal qëllimisht pranë një shkëmbi, 25 vite më parë.

Pekini ka thënë disa herë se Filipinet kishin rënë dakord për ta tërhequr atë anije, deklaratë të cilën Manila e ka hedhur poshtë.

Analisti politik në Manila, Julio Amador tha se dëbimi i diplomatëve duhet të jetë pjesë e veprimeve diplomatike të Filipineve pasi zyrtarët e Ambasadës Kineze kishin treguar se nuk i vlerësonin marrëdhëniet e tyre të punës me zyrtarët filipinas.

“Diplomacia mbështetet tek besimi. Megjithatë, Kina po përpiqet ta bëjë të duket sikur të gjitha takimet midis diplomatëve të saj dhe përfaqësuesve të qeverisë filipinase janë negociata me rezultate detyruese”, tha ai.

“Kina nuk ka të drejtë të bëjë kërkesa ndaj Filipineve se si këto të fundit menaxhojnë zonat mbi të cilat ka të drejta sovrane”. /VOA



Skip to toolbar