Përurohet shkolla 9-vjeçare “Emin Duraku”, Veliaj: Një faqe e re për 1300 nxënës!

AKTUALITET


“Emin Duraku” është shkolla më e re e ndërtuar në Tiranë, e cila do të mirëpresë 1300 nxënës në vitin e ri shkollor. Projekti i financuar nga Bashkimi Europian dhe UNDP, falë Programit “EU4Schools”, sjell standardet më të mira të infrastrukturës arsimore dhe sigurisë, si edhe hapësira të mjaftueshme që mund të përdoren nga fëmijët jashtë orarit mësimor. Të pranishëm në përurimin e shkollës ishin kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministrja e Arsimit dhe e Sportit, Ogerta Manastirliu, shefi i Seksionit Politik pranë Delegacionit të BE-së, Andre Rizzo, Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së, Monica Merino, ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, dhe përfaqësues të institucioneve qendrore e vendore, nxënës, mësues etj.

Kryebashkiaku Veliaj falenderoi Bashkimin Europian dhe UNDP që financuan ndërtimin e shkollës, duke u shprehur se me përfundimin e saj, fillon një histori të re për komunitetin e Njësisë 5. “Sot hapim një faqe të re për çunat dhe gocat e mrekullueshëm të zonës së ish Bllokut sepse kjo është një shkollë m’u në zemër të Njësisë 5. Shkolla mbaron për një javë, por ne do t’i shfrytëzojmë pushimet për të bërë edhe një ndërhyrje në pjesën e jashtme, që të sigurohemi që fëmijët nuk dalin menjëherë në rrugë, duke future edhe në këtë shkollë konceptin e një brezi sigurie për fëmijët, siç kemi bërë te shkolla “Gustav Majer”. Tërmeti e dëmtoi rëndë, prandaj morëm vendimin për ta ndërtuar komplet të re. Tani kemi vetëm një kërkesë për nxënësit: presim nota të mira, fitore në olimpiada dhe kupa në kampionate”, tha Veliaj.


Ai theksoi se Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, pritet të vërë në zbatim një paketë tjetër prej 10 shkollash të reja, kryesisht në periferi të kryeqytetit, për t’i dhënë përfundimisht zgjidhje çështjes së arsimit në Tiranë. “Kjo është shkolla jonë e 42-të në total, por e 7-ta që bëjmë me BE dhe UNDP. “Xhezmi Dielli” ka mbaruar, “Myslym Keta” ka mbaruar, “Musine Kokalari” ka mbaruar dhe nga 42 do të shkojmë në 45 shkolla të reja në Tiranë. Pastaj, fillojmë me një paketë prej 10 shkollash të tjera, kryesisht në zonat e Astirit, Liqenit të Thatë, Saukut dhe Shkozës; pra, periferitë e Tiranës, që më në fund zgjidhin përfundimisht çështjen e arsimit. Që nga koha e Pavarësisë nuk janë ndërtuar kaq shumë shkolla në Tiranë”, u shpreh ai.

Veliaj nuk la pa falenderuar edhe komunitetin e prindërve, që kanë qenë bashkëpunues në realizimin e këtyre projekteve. “U uroj të gjithë nxënësve shumë sukses, prindërve shumë mirënjohje për durimin, falenderim për mirëkuptimin. Ka qenë komuniteti i prindërve më bashkëpunues dhe ka kuptuar se sa komplekse dhe delikate ka qenë situata, edhe me çështjet ligjore, edhe me masat e bllokimit, çështjet inxhinierike, të legalizimit etj. Jam i sigurt se për çdo nevojë tjetër, me kaq shumë dashuri sa është bërë kjo shkollë, do jemi këtu për bibliotekën, për materialet sportive dhe do jemi gjithmonë tifozët më të mëdhenj të ‘Emin Durakut’”, tha ai.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, e cilësoi rikonstruksionin e shkollës “Emin Duraku” si një projekt kompleks, i cili është realizuar me të gjitha kushtet dhe infrastrukturën e nevojshme, që meritojnë nxënësit dhe mësuesit, me qëllim mbarëvajtjen e procesit arsimor. Ajo falenderoi Bashkinë e Tiranës dhe partnerët e tjerë për punën e bërë në realizimin e projektit. “Ne jemi të fokusuar në përmirësimin e infrastrukturës shkollore dhe synojmë që këtë vit të finalizohen rreth 100 objekte arsimore dhe terrene sportive, si dhe hapim kantiere për 40 shkolla të reja, të cilat mbështeten nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, me fondet e qeverisë shqiptare. Qëllimi është që të gjitha shkollat të funksionojnë vetëm në oraret e paradites, duke shërbyer pasdite për programe jashtëshkollore. Ndërkohë jemi duke vlerësuar një program specifik për shkolla verore, duke filluar nga viti 2025,” tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP Albania, Monica Merino rreth “EU4Schools” tha: “Këtu reflektohet angazhimi ynë për arsimimin në shek. e 21-të! Shkolla mishëron standardet më të larta ndërkombëtare të cilësisë dhe sigurisë. Në përvjetorin e 20-të të partneritetit për progres mes UNDP-së dhe BE-së, jemi të lumtur që ky bashkëpunim për zhvillimin e qëndrueshëm njerëzor vazhdon të sjellë rezultate të prekshme dhe të përmirësojë jetët e njerëzve.”

Shkolla e re “Emin Duraku” gëzon mjedise tërësisht bashkëkohore, ku përfshihen laboratorë të Kimisë, Biologjisë, Fizikës, TIK, Artit & Muzikës; bibliotekë; sallë multifunksionale; dhomë mjeku, psikologu dhe dentisti; palestër të brendshme dhe fushë të jashtme sportive; parashkollor etj. Njëkohësisht, me instalimin e ashensorit dhe rampave, shkolla garanton aksesueshmëri të lartë për personat me aftësi të kufizuara. “Emin Duraku” është një prej 57 objekteve arsimore të rindërtuara/riparuara deri tani në kontekstin e “EU4Schools” dhe një prej 7 institucioneve arsimore përfituese në Bashkinë e Tiranës.




Skip to toolbar