Sulmi ndaj Elisabeta Imerajt, 50 prokurorë të Tiranës kundër Lulzim Bashës

Më të fundit


Merr të tjera përmasa përplasja në distancës mes kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe kryeprokurores së Tiranës Elisabeta Imeraj. Krahas vënies në lëvizje të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, 50 prokurorë të Prokurorisë së Tiranës, kanë nënshkruar një peticion, përmes të cilit dënojnë sulmet e Lulzim Bashës ndaj Elisabeta Imeraj, të cilën Basha e quajti disa ditë më parë ‘ikonë të krimit dhe korrupsionit’.

Report Tv ka zbardhur peticionin e plotë, ku thuhet: “Në rastin konkret, sulmi vijues me një retorikë jo etike, si zyrtar i drejtësisë është jo vetëm e dënueshme ligjërisht, po0r gjithashtu tenton që të cenojë drejtpërdrejtë privatësinë e prokurorit, pavarësi e cila është esenciale dhe prioritare mbi objektivitetin dhe të qenit profesional në drejtim, hetim dhe përfaqësim në gjykim të çështjeve penale e cila është puna e një prokurori.


Prokurorët e Tiranës mbështesin kërkesën e zonjës Imeraj për të mbajtur një qëndrim të fortë ndaj Bashës dhe sulmeve të politikës në adresë të organit të akuzës. Peticioni i pazakontë është bërë shkak që Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në mbledhjen e sotme, të shtynte vendimmarrjen për mbajtjen e një qëndrimi publik ndaj Bashës.

“Me shtatë vota pro dhe katër kundër (z. Alfred Balla, znj. Esmeralda Keshi, znj. Nurihan Seiti dhe z. Vatë Staka ), Këshilli  vendosi shtyrjen e vendimmarrjes për mbajtjen e një qëndrimi publik, në mbledhjen plenare të radhës, për arsye proceduriale, të cilat lidhen kryesisht me administrimin nga ana e anëtareve të një peticioni të nënshkruar nga 50 prokurorë të Prokurorisë së Tiranës, në mbështetje të kërkesës së Drejtueses Imeraj”, njoftoi KLP-ja. Përplasja mes Bashës dhe Imeraj do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të KLP-së, pas të administrohet peticioni i 50 prokurorëve, bashkë me firmat përkatëse.

Përplasja

Po çfarë ndodhi mes prokurores Elisabeta Imeraj dhe Lulzim Bashës? Katër ditë më parë, nga një studio televizive, Basha artikuloi akuza të rënda ndaj zonjë Imeraj. “Kur e denoncova këtë, kërcitën telefonatat, dhe prapë asnjë media nuk e mbulonte këtë. Kryeprokurorja e Tiranës është ikonë e korrupsionit dhe krimit”, tha Basha në Real Story.

I menjëhershëm dhe i ashpër ka qenë edhe reagimi i kryeprokurores së Tiranës, Elisabeta Imeraj, e cila i dha një mesazh Bashës, teksa tha se kriminelët nuk mund t’i bënin presion, se kreu i opozitës ishte ikonë e shpëtimit nga veprimi i drejtësisë me procedurë dhe se kishte dosje në prokurorinë që ajo drejton. “Deklarata e Bashës është sulm personal për shkak të dosjeve që ka në Prokurorinë e Tiranës, dhe për këto akuza do të përballet në Gjykatë. Nuk bie pre e asnjë presioni politik, ekonomik apo kriminal, as e ikonës së shpëtimit nga Drejtësia me Procedurë. Presioni karshi një prokurori është vepër penale, dhe unë s’kam rënë pre e presionit në asnjë rast nga asnjë lloj krimineli”, tha ndër të tjera Imeraj.




Skip to toolbar