Janë duke u luajtur ndeshjet e javës së fundit të fazës së Parë të Superligës. Katër nga pesë takimet e javës së nëntë, luhen të mërkurën, ndërsa të enjten luhet kryesfida e kësaj ajve ajo mes Partizanit dhe Skënderbeut. Tre takimet e mesditës, po dhurojnë spektakël, pasi pjesët e para janë mbyllur me fitoren e ekipeve vendase.
Konkretisht, Bylis është duke fituar ndaj Tiranës me rezultatin 2-0. Golin e parë për mallakastriotët e realizoi ish-mbrojtësi i Tiranës sezonin e kaluar, Jurgen Goxha. Mbrojtësi i Bylis gjeti rrjetën në minutën e pestë, ndërsa në të 25` Guido dyfishoi rezultatin. Nëse takimi mbyllet me fitoren e Bylis, skuadra mallakastriote do të jetë në krye të renditjes me 16 pikë, të paktën deri të enjten.
Kukësi është duke mundur Luftëtarin gjithashtu me rezultatin 2-0. Skuadra e trajnerit Duro shënoi që në fillim të ndeshjes me Valon Ethemin, i cili gjeti rrjetën në minutën e dytë. Ndërkohë, Vasil Shkurtaj dyfishoi për verilindorët në të 26`, duke i dhënë avantazhin e dy golave në pjesën e parë skuadrës së tij.
Laçi gjithashtu shënoi dy gola ndaj Teutës në pjesën e parë në takimin e javës së nëntë. Skuadra kurbinase gjeti rrjetën në të 18` me Teco dhe më pas sulmuesi dyfishoi në të 28`, duke i dhënë avantazhin në pjesën e parë Laçit. Takimi tjetër i ditës së mërkurë është ai mes Flamurtarit dhe Vllaznisë që luhet pasdite në orën 16:00.