Po peshkonte, rrëshqet në liqen dhe mbytet 40-vjeçari

AKTUALITET


Një 40-vjeçar, i cili mendohet se ka qenë duke peshkuar, ka humbur jetën paraditen e së hënës, pasi është mbytur në liqenin e Banjës në Gramsh. Ngjarja e rëndë ka alarmuar policinë, por edhe forcat speciale, të cilat kanë dërguar polumbarët për nxjerrjen e trupit të pajetë nga liqeni, që është mundësuar disa orë më vonë.

Burimet policore thanë se rreth orës 11:00, në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Gramsh ka ardhur një  telefonatë se një shtetas është mbytur aksidentalisht në Liqenin e Banjës, Gramsh.


Me marrjen e njoftimit,  menjëherë shërbimet e Policisë dhe Zjarrfikëses kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe në bashkëpunim me forcat speciale  RENEA ka nisur puna për nxjerrjen e trupit.

Nga veprimet e para rezultoi  se shtetasi i mbytur është Venetik Kume, 40 vjeç,  banues në fshatin Zamsh, Gramsh.

Pas disa orësh kërkime në liqenin e Banjës, polumbarët, të ndihmuar dhe nga policia e zjarrfikësit, kanë nxjerrë trupin e pajetë të 40-vjeçarit, i cili ishte baba i dy fëmijëve. Mendohet se Kume ka qenë duke peshkuar, kur ka rënë në liqen dhe është mbytur.




Skip to toolbar