Dalin në dritë të tjera detaje nga ngjarja e rëndë e të dielës në stadiumin “Selman Stërmasi”. Sipas gazetarit të kronikës së zezë, Artan Hoxha, tifozët e Tiranës kishin përgatitur 3 vazo plastike me 35 kapsolla të mëdha dhe flakadanë, të cilat ishin groposur 20 centimetra nën zhavorrin e stadiumit, pranë tribunës ku qëndruan tifozët e Partizanit.
“3 vazo plastike të mbushura me 35 kapsolla të mëdha dhe flakadanë, të groposura afro 20 centimetra nën zhavorrin e stadiumit “Selman Stërmasi” nga ana e flamurit të këndit aty ku ishin vendosur tifozët e Partizanit. Vazot ishin lidhur në seri për tu aktivizuar me tel përcjellës në distancë, ishin me të vërtetë një çmenduri që as ultranacionalistët serbë nuk ia rezervuan kombëtares shqiptare në tetorin e 2014”, shkruan Artan Hoxha, i cili publikoi dhe foto të lëndëve plasëse.
Më tej, gazetari tregon se si policia e zbuloi telin përcjellës dhe vazot me lëndë plasëse. “Për fat të mirë shpërthimi i komanduar nuk ndodhi, sepse teli-përcjellës u zbulua rastësisht nga policia gjatë ndërhyrjes së saj në stadium, ku njëri nga policët u ngatërrua me kabllin e fshehur poshtë zhavorrit”, shkruan Hoxha, ndërsa shprehet se në rast shpërthimi, pasojat mund të ishin të rënda.
“Sipas specialistëve antieksploziv të policisë, nëse shpërthimi do të realizohej, fuqia e tij do të ishte e madhe, jo vetëm prej përbërjes me barut të materialeve piroteknike por edhe prej izolimit në vazot plastike që e shumëfishon fuqinë dhe sidomos prej sasisë së madhe të gurëve që ndodheshin sipër vazove të mbushura me kapsolla shpërthyese”.
“Shpërthimi, përveç se do të shkaktonte panik në stadiumin e mbushur plot një orë para ndeshjes, nuk do godiste vetëm tifozët e Partizanit, por edhe stafin e rojeve private, personelin e stadiumit që ndodhej në atë zonë, gazetarë dhe fotografë, stafin e KF Tirana që ndodhej pranë por edhe vetë tifozët e Tiranës. Historia dhe fanella 100 vjeçare e Tiranës, si dhe historia e fanella 73 vjeçare e Partizanit, vlejnë me tepër se çdo huligan apo ultras i papërgjegjshëm që e cilëson kundërshtarin “armik”, shkruan Artan Hoxha.