Policia e Kosovës i ka urdhëruar të gjithë deputetët, mediat dhe të pranishmit e tjerë në ndërtesën e Kuvendit të largohen, në prag të vazhdimit të radhës të seancës konstituive.
Policia nuk ka folur ende në lidhje me evakuimin e të gjithëve nga ndërtesa dhe oborri i Kuvendit të Kosovës.
Por, sipas disa deputetëve, bëhet fjalë për çështje sigurie dhe ndonjë kërcënimi të mundshëm.
“Na dhanë udhëzime të dalim [nga ndërtesa], sepse ka një kërcënim me gjasë. Nuk e dimë çka po ndodh dhe na kërkuan të dalim. Policia na tha për çështje të sigurisë”, tha Abelard Tahiri, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës.
Ndërkohë, nga pamjet televizive u pa mbërritja e një numri të oficerëve të Njësisë Speciale të Kosovës në ndërtesën e Kuvendit.
Vlora Çitaku, deputete e PDK-së, tha se sigurimi u kërkoi të largohen nga ndërtesa e Kuvendit, pa u dhënë sqarime.
“Siç duket ka pasur ndonjë kërcënim për ndonjë sulm apo diçka të ngjashme. Nuk kemi informatë të saktë, vetëm na thanë të largohemi”, tha Çitaku.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, tha se ajo dhe deputetët e tjerë të kësaj partie ishin duke u futur në sallë për të marrë pjesë në seancë, kur iu kërkua të largohen nga ndërtesa e Kuvendit.