Kryeministri Rama është shfaqur sërish të premten në fushatë elektorale në Tiranë në krah të Veliajt, ndërsa ka analizuar sjelljen e presidentit Meta me zgjedhjet, duke thënë se ai është një personazh kompleks, madje lunatik.
Sipas Ramës, Meta si politikan ka bërë gjëra të mira por dekreti për anulimin e zgjedhjeve është një gabim fatal i tij, që nxiti dhunën dhe për më tepër si president ai nuk ka bërë asnjë thirrje për të dënuar sulmet mbi KZAZ-të.
“Meta është personazh kompleks, ka bërë gjëra të mira, ka bërë të gabuara, nuk kemi se çfarë i bëjmë. E bëri për të nxitur dhunën dhe gjithë këto ditë nuk ka thënë një fjalë kundër dhunës dhe ishte fatale për të. Ai është si Hëna, rrotullohet dhe herë është e plotë dhe herë e qorruar komplet”, tha Rama.
Ai komentoi edhe qëndrimin e Voltanës së Shkodrës që organizoi antimiting duke thënë se kjo gjë s’ka ndodhur që nga koha enveristëve të ’91. “Nuk ka ndodhur asnjëherë që PD-ja dhe PS-ja të përplasen, gjithmonë mitingu i fundit negociohej dhe asnjëherë nuk kishte përplasje. Kjo histori që i bën thirrje popullit që kryeministri të mos futet në qytet, kjo është si enversitët në 1990. Ajo (Voltana Ademi) është mbretëresha e pisllëkut. Manipulojnë punonjësit, hajde këtu se do të heqim nga puna, edhe flasin këta për ….”, tha Rama.
Një ditë më parë, pavarësisht vendimit të kryebashkiakes së Shkodrës për të mos lejuar mitingun e PS, Rama zhvilloi takimin elektoral ku edhe prezantoi kandidatin e PS-së për këtë bashki.