Dosja 339 ndezi politikën, Donika Prela jep detaje: Janë 74 persona nën hetim, por do të ketë të tjerë

AKTUALITET


E ndërsa politika është ndezur ditët e fundit nga përgjimet e publikuara nga media, pjesë të dosjes 339, drejtuesja e prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela ka dhënë disa detaje në një deklaratë për shtyp.

Ajo tha se dosja 339 është më e madhja në historinë e prokurorisë shqiptare dhe se janë 74 persona nën hetim.


“Duke parë rëndësinë e madhe të çështjesh, numrin e madh të personave në hetim, janë 74 persona hetime. Kjo është dosja më e madhe që ka pasur prokuroria shqiptare në historinë e saj. Numri i personave nën hetim pritet të rritet në vijimësi”, tha Prela.

Prela tha gjithashtu se për këtë dosje kanë punuar disa prokurorë, dhe një numër i konsiderueshëm i oficerëve gjyqësor.

Ajo gjithashtu tha se ka një numër të konsiderueshëm të përgjimeve që ende nuk janë zbardhur.

Deklarata e plotë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, me datë 28.12.2016, ka regjistruar procedimin penal nr.339, për  kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve“, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 283 dhe 283/a/2 i Kodit Penal.

Hetimet në këtë procedim penal nga momenti i regjistrimit të tij dhe aktualisht, janë kryer nga disa prokurorë, sipas periudhave më poshtë:

1-Nga fillimi i proçedimit penal datë 28.12.2016, deri më datë 20.11.2017 hetimet janë kryer nga prokurori Z.Anton Martini dhe dy oficerë të policisë gjyqësore. Pas kësaj date Prokurori është transferuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësorë Shkodër.

Gjatë hetimeve të kryera në këtë periudhë një vjeçare e cila përfshin dhe periudhën kohore të zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë (periudha qershor 2017), janë regjistruar hetime vetëm për veprat penale të “Trafikimi i narkotikëve”,  në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuara nga nenet 283/2, 283/a/2, 287 të Kodit Penal.

2-Nga data 20.11.2017, deri më datë 21.09.2018, hetimet janë kryer nga Prokurori Besim Hajdarmataj, dhe 3 oficerë të policisë gjyqësore të seksionit të prokurorisë dhe të policisë së shtetit.

Me urdhërin e datë 05.03.2018, të prokurorit të çështjes Z. Besim Hajdarmataj,  është vendosur regjistrimi i veprave penale “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 333/a dhe 334 të Kodit Penal dhe po kështu me urdhërin e datës 05.07.2018, nga prokurori i çështjes Z. Besim Hajdarmataj, janë regjistruar emrat për 13 subjekte, si të dyshuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “ Korrupsion aktiv në zgjedhje“, “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe me urdhërin e datës 14.08.2018 është regjistruar emir i 8 personave si të dyshuar për veprat penale të  “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendore”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendore”, “Prodhim dhe shitje narkotikeve”, etj,  të parashikuara nga nenet 283, 283/a, 333/a, 245, 260, 328 të Kodit Penal.

3-Pas largimit të Prokurorit Besim Hajdarmataj për shkak të caktimit të përkohshëm pranë Prokurorisë Pogradec, me vendimin e drejtuesit të prokurorisë, datë 25.09.2018, janë caktuar për hetimin e procedimit,  prokurorët  Z.Vladimir Mara dhe Z.Dritan Prençi, ku ky i fundit rezulton se ka qenë prokuror dhe ne disa procedime te tjera penale të bashkuara me procedimin penal nr 339/2016 më parë .

Në një periudhë kohore me pak se 20 ditë pas zëvëndësimit të Prokurorit, me urdhërin e datës 18.10.2018, nga prokurorët e çështjes, janë regjistruar emrat e 40 subjekteve, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale të ndryshme, të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, trafikimit të narkotikëve, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, “Pastrimit të produktve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, “Falsifikimi i dokumenteve”, “ Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Shpërdorimi i tokës”, etj të kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe vepra penale të tjera.  Po kështu në fund të muajit tetor 2018, një muaj pasi dosja është marrë në hetim, janë nxjerrë gjithsej 44 masa sigurimi arrest në burg për persona të ndryshëm për veprat penale të sipërcituara.

Në kuadër të hetimeve, janë administruar gjithsej 624 CD me regjistrime të përgjimeve elektronike dhe 115 DVD. Nga këto, janë 110 CD për vitin 2017, 479 CD për vitin 2018 dhe 35 CD për vitin 2019.

Sqarojmë se referuar InformaCionit që më është vënë në dispoziCion nga dy prokurorët e çështjes, në momentin e ngritjes së grupit hetimor nga ana e drejtuesit të prokurorisë tetor 2018, të gjitha CD e administruara kanë qenë të pa transkriptuara në tërësi dhe vijimësi, por  ka patur transkripte të pjesshme, vetëm të disa numrave të veçantë, dhe në mënyrë sporadike.

Po kështu, në këtë moment është konstatuar se janë kryer veprime hetimore të hapura vetëm në drejtim të veprave penale të trafikimit të lëndëve narkotike të kryera në qytete të ndryshme të vendit dhe abuzimeve me pronat në zonën e Qarkut Lezhë, ndërsa për veprat e tjera penale, duke përfshirë dhe veprat penale në fushën e zgjedhjeve nuk ka patur hetime të hapura, me përjashtim të përgjimeve, të Cilat siç dhe theksova, nuk kanë qenë të transkriptuara në tërësi.

Duke parë rëndësinë e madhe të çështjes, por dhe sensitetin e saj, numrin shumë të madh të personave  në hetim me masa të ndryshme sigurimi, ku aktualisht numri i personave në hetim ka shkuar në 74 persona, janë sekuestruar 300.000 m2 tokë, resort turistik, etj pra është kryer në volum i konsiderueshëm hetimesh, nga Drejtuesi i Prokurorisë në zbatim të detyrimeve ligjore, por dhe njëkohësisht të kompetencave që  lejon ligji, janë marra masa të shumta organizative me qëllim lehtësimin e punës së prokurorëve të ngarkuar me hetimin e çështjes me qëllim përfundimin sa më të shpejtë në kohë të tyre dhe konkretisht:

-Duke filluar nga periudha kohore muaji tetor 2018, dy prokurorët që janë caktuar me hetimin, janë përjashtuar nga grafiku i gadishmërisë mujore si dhe nga pjesmarrja në shortet e organizuara për shpërndarjen e materialeve të reja hetimore apo të proçedimeve të tjera penale të reja, për një periudhë 6 mujore me Urdhëra të veçantë të drejtuesit të nxjerrë me afat përjashtimi çdo muaj ose çdo dy muaj.

-Po kështu është kërkuar nga të dy Prokurorët, që për shkak të volumit të madh të punës që paraqet kjo dosje, të bëjnë dorëzimin e disa dosjeve të tjera me qëllim për t’u shpërndarë tek prokurorë të tjerë kundrejt shortimit, kërkesë kjo e bërë në mënyrë verbale, por dhe shkresore.

Është rritur numri i oficerëve të policisë gjyqësore në hetim, sipas kërkesës së prokurorëve duke parë dhe rëndësinë e intensitetit dhe shtrirjes territoriale të veprimeve në rrethe te ndryshme, si Shkodër, Lezhë, Tiranë, Durrës, Fier, Sarandë. Aktualisht kjo dosje hetohet nga 11 oficerë të policisë gjyqësore, të cilëve u janë caktuar detyrat përkatëse për hetim nga grupi i prokurorëve.

Aktualisht, prokurorët kanë përfunduar hetimet dhe kanë dërguar për gjykim 12 persona, dhe janë në përfundim dhe 6 persona të tjera, për veprat penale të sipërcituar.

Bëmë një parashtrim të përgjithshëm dhe të hollësishëm të asaj çfarë ka ndodhur në lidhje me hetimet e dosjes nr 339/2016, në këto 8 muaj, por dhe më parë për t’u bërë të ditur se nuk mundet askush të anatemojë punën e prokurorëve në këto muaj, kushdoqofshin ata me arsyetimin apo llogjikën se nuk po bëjnë detyrën, po flenë mbi dosje, apo kanë frikë të bëjnë detyrën e tyre.

Kemi zgjedhur të heshtim në debatin e madh që po zhvillohet këto ditë pasi i qëndrojmë bindjes dhe detyrimit tonë ligjor dhe kushtetues që një prokuror i mirë, profesional dhe me integritet flet kryesisht nëpërmjet vendimeve të veta, përmes akteve të ndryshme, mjeteve juridike, pra nëpërmjet punës.

Hetimi i veçantë dhe i pavarur i veprave penale në fushën e zgjedhjeve ka qenë objektivisht i pamundur, pasi nuk mund të bëhej dhe nuk mund të bëhet ndarja e transkripteve, për këtë vepër penale sa kohë që element të sajë janë konstatuar të ndërthurura me subjekte të përgjuar për veprimtarinë kriminale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal sa kohë që kjo ndarje nuk është bërë në momentin e konstatimit të tyre.

Theksojmë se paralelisht me kryerjen e veprimeve hetimore për veprat penale në fushën e zgjedhjeve, prej datws 18.10.2018, janë duke u kryer hetime edhe për faktet penale të nxjerrjes dhe publikimit të akteve sekrete hetimore dhe të përmbajtjes së tyre, fakte të cilat jo vetëm janë të dënueshme penalisht por edhe dëmtojnë seriozisht vazhdimin e hetimeve. Nw kwtw periudhe pwr hetimin e tyre është caktuar si pjesë e hetimeve dhe një prokuror tjetër.

Sigurojmë opinionin publik se Prokuroria për Krimet e Rënda Tiranë, gjatë kësaj periudhe është duke kryer veprime intensive hetimore për të gjitha veprat penale të cilat dyshohen se janë kryer në kuadër të këtij procedimi penal, veçanërisht për episodet që lidhen me veprat penale në fushën e zgjedhjeve për të cilat është intensifikuar puna pas zbardhjes së transkripteve të përgjimeve.




Skip to toolbar