Presidenti Joe Biden nënshkruan ndihmën për Ukrainën

BOTA


Presidenti amerikan, Joe Biden, ka nënshkruar të mërkurën projektligjin i cili siguron miliarda dollarë ndihmë të re të SHBA-së për Ukrainën në luftën e saj me Rusinë, duke shënuar një fitore të rrallë dypartiake për presidentin në kohën kur ai kërkon rizgjedhjen.

“Kjo u jep mbështetje jetike partnerëve të Amerikës, në mënyrë që ata të mund të mbrohen nga kërcënimet ndaj sovranitetit të tyre”, ka thënë Bideni, duke shtuar se fluksi i armëve në Ukrainë do të fillojë në orët e ardhshme.


Projektligji përfshin 61 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën dhe 26 miliardë dollarë për Izraelin, si dhe 1 miliard dollarë ndihmë humanitare për Gazën, dhe 8 miliardë dollarë për të kundërshtuar fuqinë ushtarake të Kinës, raporton Reuters.

Bideni, një demokrat që pritet të përballet me ish-presidentin republikan, Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit, u ka bërë presion ligjvënësve për gjashtë muaj që të miratojnë më shumë fonde për Ukrainën, e cila po lufton pushtimin rus për më shumë se dy vjet.

Trumpi kundërshtoi ndihmën ndaj Ukrainës dhe disa republikanë në Kongres refuzuan ta mbështesin atë, duke vënë në pikëpyetje nëse Ukraina mund të mbizotërojë ndonjëherë.

“Ata janë një forcë luftarake me vullnet dhe aftësi për të fituar,” ka thënë Bideni për ushtrinë e Ukrainës, teksa fajësoi republikanët besnikë të Trumpit për bllokimin e ndihmës.

Bideni ka nënshkruar gjithashtu një projekt-ligj të veçantë që lidhet me legjislacionin e ndihmës që ndalon TikTok-un në Shtetet e Bashkuara nëse pronari i tij, firma kineze e teknologjisë ByteDance, nuk arrin të heqë aplikacionin popullor të videove të shkurtra gjatë nëntë muajve deri në një vit të ardhshëm.




Skip to toolbar