Protesta anti-Soros në SHBA, Meta në prag të shkarkimit: Ndihem i fortë!

AKTUALITET


Pikërisht në ditën kur Kuvendi do të miratojë ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e presidenti (për herë të parë në Shqipëri), presidenti Ilir Meta përshëndet protestën e së dielës në SHBA dhe thotë se ndihet i fortë, si për t’i dhënë një mesazh maxhorancës qeverisëse.

Një ditë më herët, disa anëtarë të shoqatës Vatra në SHBA kanë protestuar para Shtëpisë së Bardhë kundër miliarderit George Soros duke e akuzuar atë, në të njejtën linjë si presidenti Meta, se ka kapur qeverinë shqiptare dhe Reformën në Drejtësi.


Në një reagim të së hënës, referuar kësaj proteste, Meta shkruan se përkrahja e komunitetit shqiptaro-amerikan do të mbrojë aleancën strategjike mes Shqipërisë dhe SHBA-së.

“Mirënjohje të gjithë shqiptarëve të mbledhur dje në Uashington DC para Shtëpisë së Bardhë, të cilët lanë punët e tyre dhe i bashkoi shqetësimi për të ardhmen e Shqipërisë, duke konfirmuar aleancën e pathyeshme të kombit tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përkrahja e tyre më shumëfishoi forcat, ndaj si President i Republikës kam besim tek komuniteti i ndershëm shqiptaro-amerikan, për të mbrojtur dhe forcuar së bashku këtë aleancë strategjike!

Shqiptarët qëndrojnë të fortë dhe të vendosur, jo për të marrë një vizë amerikane, por për të mbrojtur idealet amerikane të lirisë dhe dinjitetit njerëzor, që janë jo vetëm idealet e SHBA, por edhe të qytetërimit botëror ku ne bëjmë pjesë.

Shqipëria nuk do të kthehet kurrë më në “one-party state”!

Ne jemi anëtarë të NATO-s dhe në zemër të kësaj Aleance është DEMOKRACIA!”, shkruan presidenti.

Meta prej disa kohësh po kërkon të krijojë një diversion dhe të ndajë qëndrimet e ambasadës së SHBA-së në Tiranë nga qëndrimet e qeverisë Trump. Nga njëra anë sulmon ambasadën, nga ana tjetër vlerëson Trump dhe madje kopjon dhe sloganin e tij (Shqipëria e para-Amerika e para). Presidenti Meta po kërkon ta identifikojë ambasadën e SHBA me Soros duke e akuzuar atë për kapje të shtetit shqiptarë dhe kryesisht të reformës në drejtësi për të cilën Meta ka dalë hapur kundër saj. Kujtojmë se ambasada e SHBA është pjesë e Departamentit të Shtetit dhe qeverisë Amerikane dhe çdo veprim i saj është plotësisht i koordinuar, pavarësisht deklaratave të presidentit Meta i cili kohët e  fundit ka marrëdhënie të tensionuara me amerikanët.




Skip to toolbar