30 qershori u vulos nga SHBA, Meta këmbëngul: Të votojmë më 13 tetor

AKTUALITET


Megjithëse zgjedhjet e 30 qershorit u njohën si nga SHBA ashtu dhe nga BE, presidenti Ilir Meta edhe të hënën ka bërë thirrje që zgjedhjet vendore të zhvillohen më 13 tetor.

Në një reagim të gjatë, ku përmendet çuditërisht propozimi i tij i fundit (komplet i pabazuar në Kushtetutë) që më 13 tetor të bëhen edhe zgjedhjet presidenciale, edhe zgjedhjet për Kuvendin, Meta argumenton pse 30 qershori është i paligjshëm dhe pse dekreti i tij për anulimin e zgjedhjeve është ende në fuqi.


Presidenti thotë se Kolegji Zgjedhor nuk ka marrë vendim për dekretin, por vetëm për ankesën e partisë PUK dhe se Kolegji nuk ka të drejtë të rrëzojë një dekret. Këtë të drejtë e ka Gjykata Kushtetuese.

“Ky Dekret për anulimin e datës 30 qershor 2019 si ditë e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, deri në ditën e sotme nuk është kundërshtuar nga ndonjë forcë politike apo nga ndonjë subjekt tjetër politik ose jo politik përpara ndonjë gjykate në Republikën e Shqipërisë përfshi këtu edhe Kolegjin Zgjedhor.

Pra sipas Kodit Zgjedhor, Kolegji Zgjedhor nuk ka kompetencë të shqyrtojë vlefshmërinë e Dekreteve të Presidentit, pasi këtë të drejtë nuk ia njeh as Kushtetuta, as Kodi Zgjedhor dhe as ndonjë ligj tjetër në fuqi në Republikën e Shqipërisë.

Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, e cila do të duhej të shqyrtonte çdo pretendim mbi kushtetutshmërinë e Dekretit të Presidentit të Republikës, Partia Socialiste dhe KQZ, duke përdorur Partinë e Unitetit Kombëtar (PUK,aleat i Partisë Socialiste në këto zgjedhje) inskenuan një veprim procedural për të anatemuar indirekt vendimin e Kreut të Shtetit me qëllim për të ndërtuar një operacion propagandistik brenda e jashtë vendit, që të dezinformonin se Dekreti i Presidentit u shfuqizua nga Kolegji Zgjedhor.

Ndërmarrja e një procesi në Kolegjin Zgjedhor nga partia PUK është vetëm një përpjekje e Partisë Socialiste për të justifikuar politikisht paligjshmërinë e veprimtarisë së anëtarëve të saj në KQZ.

Ky vendim i Kolegjit, nuk prek aspak vlefshmërinë e Dekretit të Presidentit të Republikës”, argumenton presidenti.

Por Kolegji Zgjedhor me të vërtetë shqyrtoi ankimimin e partisë PUK, por nëpërmjet tij rrëzoi dekretin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, duke argumentuar, bazuar në Kushtetutë, presidenti mund të dekretojë datën e zgjedhjeve vetëm 9 muaj para. Përtej këtij afati çdo akt i tij është jashtë afateve Kushtetuese dhe është i pavlerë, pra është nul. Dhe ky vendim i Kolegjit Zgjedhor i jep përgjigje edhe dekretit tjetër të presidentit që zgjedhjet të zhvillohen në 13 tetor.

Presidenti gjithashtu thotë se dekreti i tij mund të shqyrtohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese, por harron se vetë kjo gjykatë në praktikën e saj, ka vlerësuar se dekreti i presidentit është akt administrativ dhe si i tillë mund të shyrtohet nga një gjykatë administrative dhe jo nga Gjykata Kushtetuese.

Presidenti vazhdon të këmbëngulë dhe të thotë se anuloi zgjedhjet për  të shmangur një konflikt civil. Por harron se dekreti i tij për anulimin e zgjedhjeve  krijoi pasiguri ( e thënë kjo nga misioni i vëzhguesve të OSBE) dhe nxiti akte dhune, ku protestuesit e opozitës i vunë zjarrin KZAZ-ve në disa qytete. Presidenti dhe opozita u tërhoqën nga retorika e dhunës vetëm pas reagimit të fortë të ndërkombëtarëve dhe dita e zgjedhjeve kaloi pa asnjë incident. Pra zgjedhjet u zhvilluan pa asnjë konflikt civil, ndryshe nga sa thotë presidenti, i cili duket se s’ka më asnjë argument se ku ta bazojë aktin e tij. Në përfundim ai bën thirrje për zhvillimin e zgjedhjeve më 13 tetor.

“Pas anulimit të datës 30 qershor 2019 si ditë e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, Presidenti  i Republikës, për të garantuar që të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, të votojnë në mënyrë të ndershme, të fshehtë, të lirë dhe demokratike, në një situatë të qetë dhe jo konfliktuale dhe jashtë çdo rreziku të mundshëm të konfliktit social, në mbështetje të neneve: 1/3, 3, 4, 5, 15, 45/1 e 4, 86/1, 92 shkronja “gj”, 93, 109 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, më datë 27.06.2019, Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 11 211, datë 27.06.2019, ka vendosur se:

Zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore caktohen për t’u zhvilluar ditën e diel, në datën 13 tetor 2019”. Pra ligjërisht zgjedhjet duhet të mbahen në këtë datë.

Duke vënë në dukje këtë situatë të qartë ligjore se nuk ekzistojnë ligjërisht zgjedhjet e 30 qershorit dhe duke ritheksuar se dekreti i 13 tetorit është një mundësi e shkëlqyer për të garantuar zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse dhe demokratike, Presidenti i Republikës i fton të gjithë të mos thellohen në rrugën e paligjshmërisë, njëanshmërisë dhe konfliktualitetit .

Po kështu, duke vlerësuar krizën e rëndë të përfaqësimit në vend, Presidenti i Republikës u bën thirrje të gjithë aktorëve t’i bashkohen propozimit të tij që më 13 tetor qytetarët shqiptarë të votojnë edhe për Kuvendin e Shqipërisë, por edhe për Presidentin e Republikës.

Është koha për t’iu rikthyer sovranitetin të gjithë qytetarëve të Shqipërisë!”, shkruan Presidenti.

Kujtojmë se zgjedhjet e 30 qershorit u njohën nga SHBA e cila bëri thirrje që të zgjedhurit e rinj të marrin detyrën dhe të nisin menjëherë nga puna.   




Skip to toolbar