Një ditë pas hapjes së fushatës elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit 2019, opozita ka nisur protestën e shtatë kombëtare kundër qeverisë, por për herë të dytë Basha nuk është shoqëruar nga kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ku sipas LSI ndodhet jashtë shtetit, ndërkohë që kreu i PD ka deklaruar se nuk do të pranojë asnjë propozim nga kryeministri Rama.
“Nuk ka zgjedhje pa opozitën është mesazhi kryesor i kësaj proteste. Nuk do të pranojmë asnjë propozim nga Rama”, ka deklaruar lideri demokrat. Sapo Basha ka hipur në podium dhe ka marrë fjalën, protestuesit e opozitës kanë nisur të hedhin flakadanë, tymuese dhe kapsolla në drejtim të policisë. Madje, gjatë fjalës së kryedemokratit, protestuesit kanë tentuar të heqin kangjellat me hekura dhe të thyejnë kordonët e policisë, ku gjatë përplasjes, një punonjës policie ka mbetur pa ndjenja. Po ashtu, një protestues është shembur në tokë teksa ndodhej mes mijëra qytetarëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Policia gjatë gjithë kohës ka kërkuar ndërhyrjen e koordinatorit të protestës Gazmend Bardhi, ndërkohë që zyrtarë të Partisë Demokratike kanë tentuar të qetësojnë protestuesit. Dhuna e protestuesve ka vijuar derisa vetë kreu i PDu ka bërë thirrje atyre të mos prekin punonjësit e policisë. “Vëllezër e motra mos lëndoni asnjë oficer dhe efektiv policie. Mos prekni asnjë oficer policie. Vëllezër dhe motra, mos i prekni me dorë, sepse hiq dy a tre servilë të inkriminuar. Edhe pse buzët e tyre nuk e thonë dot, mendjet e tyre e mendojnë. Unë i njoh këta burra dhe gra, kam punuar me ta, kemi mundur drogën, kemi hequr vizat. Ata nuk flasin por shpirti i tyre këndon Rama Ik”, tha Basha, duke qetësuar protestuesit.
Më pas, Basha deklaroi se koha për lojërat e Edi Ramës kanë marrë fund dhe nuk do të pranojnë asnjë propozim të tij. “Nuk mund të pranojmë dhe nuk do të pranojmë kurrë errësirën e tiranisë së krimit, nuk mund të pranojmë kurrë monizmin, procesin kriminal që po u ofrohet shqiptarëve në vend të zgjedhjeve të lira e të ndershme. E gjithë beteja jonë bëhet për zgjedhje të lira e të ndershme, e gjithë beteja jonë bëhet për vlera evropiane. Nuk mund të pranojmë Edi Ramën dhe bandën e tij ta mbajnë përherë të mbyllur derën e Evropës, sepse ajo është shpresa jonë, ato janë vlerat tona. Rrugën tonë të Evropës do ta hapim. Rama ik! Kufoma politike që i dridhej dora teksa lexonte plagjiaturën e Albin Kurtit në Lezhë, tregon qartë se pushteti i krimit ka vdekur moralisht, por ai duhet kallur dhe politikisht”, deklaroi Basha.
Basha ka ndërprerë edhe fjalimin e tij, duke mbajtur një minutë heshtje në respekt të besimtarëve myslimanë, siç veproi edhe në protestën pararendëse.
Në përfundim të fjalës së tij, Basha ka kërkuar nga protestuesit ta ndjekin në marshimin drejt Parlamentit. Marshimi ka vijuar pa incidente derisa protestuesit kanë mbërritur para godinës së Kuvendit të Shqipërisë.
Me të mbërritur, protestuesit janë para godinës së parlamentit dhe kanë filluar të hedhin shashka. Por zyrtarët e PD kanë kërkuar që të mos sulmohen punonjësit e policisë. (Vijon)
Protesta e opozitës është përshkallëzuar me dhunë, sapo protestuesit kanë mbërritur para parlamentit. Sapo kanë mbërritur para parlamentit, protestuesit kanë hedhur fishekzjarrë, kapsolla e gurë drejt godinës së parlamentit dhe policisë, duke plagosur shtatë efektivë gjithsej.
Protestuesit dhe kreu i PD kanë marshuar nga bulevardit tek Kryeministria për të shkuar tek rruga para parlamentit. Një numër i madh efektivesh janë rreshtuar para hyrjes së parlamentit. Protestuesit kanë hedhur fishekzjarrë dhe tymuese, ndërkohë që gjatë gjithë kohës në protestë kanë qenë edhe drejtuesit e PD.
Në këtë situatë, policia ka ndërhyrë duke përdorur ujë e gaz lotsjellës, për të zmbrapsur turmën e protestuesve në sheshin para parlamentit. Njëkohësisht kanë vijuar edhe thirrjet e policisë ndaj protestuesve. Gjithashtu policia i kërkon medias të largohet nga ambientet para parlamentit.
Pas hedhjes së gazit lotsjellës dhe ujit, protestuesit janë shpërndarë, ndërkohë që kryedemokrati i drejtuar drejt selisë së PD, ku ka mbajtur dhe fjalën përmbyllëse.