Kreut të ALUZINI-t në kohën e Berishës i sekuestrohen 1.5 milionë euro. Shehu: Shita një hotel

AKTUALITET


Policia e Shtetit ka sekuestruar rreth 1.5 milionë euro në llogari bankare, që dyshohet se janë përfitime nga burime të paligjshme të ish drejtorit të ALUIZNI-t për Tiranën, Ferdinand Shehu, i cili ka mbajtur një sërë funksionesh të rëndësishme gjatë tetë viteve të qeverisë Berisha.

Policia bëri me dije se sekuestrimi i parave është kryer gjatë operacionit të koduar “Investimi”, të realizuar nga policia e Tiranës, në bashkëpunim me prokurorinë. Paratë mësohet se i janë sekuestruar Shehut, i cili në vitet 2006-2011 ka mbajtur funksione zyrtare në Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Urbane.


Shehu dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, duke kryer disa investime në pasuritë e paluajtshme.

Kohët e fundit, nëpërmjet një banke private, ai ka tentuar transferimin e 1 milion eurove jashtë vendit, me justifikimin për investime financiare, ndërkohë që 500 000 Euro të tjera i ka vendosur në depozitë me afat. “Për arsye se hetimet janë në vijim, nuk mund të jepen të dhëna të tjera”, deklaroi policia, e cila ka bërë sekuestrimin në kuadër të ligjit antimafia. Nga operacioni Forca e ligjit, për gjashtë muajt e parë të vitit, policia ka organizuar 20 operacione, janë goditur 12 grupe kriminale dhe janë sekuestruar pasuri me vlerë 47.2 milionë euro.

Kjo goditje vjen pas kërkesave të shumta të ndërkombëtarëve për të parë frytet e reformës në drejtësi dhe për të goditur “peshqit e mëdhenj”. Shehu për disa vite mbajti postin e zëvendës drejtorit të Aluiznit, ndërkohë që drejtor ishte Shaban Memia dhe më pas mori postin e drejtorit të Tiranës, nga ku u shkarkua për shkak të fshehjes së të dhënave. Në zgjedhjet e vitit 2013, por edhe në vitin 2009, ai ishte në listën e Berishës si kandidat për deputet i PD-së, por nuk arriti të futej në parlament.




Skip to toolbar