Dy persona të tjerë janë arrestuar të enjten për krime elektorale.
Policia e Kavajës ka vënë në pranga një 26 vjeçar i cili gjatë protestës së opozitës dhe sulmit në KZAZ nr.42 ka hedhur shishe me molotov drejtuar policisë.
Ai ishte shpallur në kërkim prej disa ditësh dhe është arrestuar ditën e enjte nga policia.
Sipas policisë ky person në datë 19.06.2019, gjatë zhvillimit të protestës para KZAZ nr 42 Kavajë, duke tentuar të hyjë me forcë në ambientet e KZAZ-së ka qëlluar me sende të forta, mjete piroteknike dhe shishe molotov punonjësit e policisë të dislokuar në shërbim pranë kësaj KZAZ-je.
I dyshuari me inicialet SH. D., banues në Kavajë akuzohet për veprat penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, i mbetur në tentativë, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Shkatërrimi i pronës”
Ndërsa në Burrel është arrestuar një 43-vjeçar për sulmin ndaj KZAZ-ve numër 16 dhe 17. Ai është identifikuar me inicialte A.L, i cili së bashku me disa persona kanë ushtruar dhunë ndaj forcave të rendit që mbanin në ruajtje KZAZ, dhe më pas kanë dëmtuar materialet zgjedhore. Mbi të rëndon akuza për veprat penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Burreli ka qenë nja nga zonat e “nxehta” të sulmeve ndaj KZAZ-vë nga militantë, punonjës Bashkie, si dhe përfaqësues të PD-së. Ata mësynë në Pallatin e Sportit “Ferit Hysa” ku morën materialet zgjedhore brenda KZAZ-së dhe i vunë flakën.