Qeni zbulon drogën në kufi, pranga të riut

AKTUALITET


Policia kufitare në doganën e Qafë Botës në Sarandë, ka goditur një rast të trafikimit të lëndëve narkotike në drejtim të Greqisë. Mësohet se gjatë pasdites së shtunë, gjatë kontrollit në një mjet, policia kufitare ka gjetur 32 kilogramë kanabis të fshehur në makinë.

Menjëherë pasi është gjetur lënda narkotike, policia ka arrestuar drejtuesin e mjetit, i cili do ta transportonte drogën në Greqi. Sipas një komunikate zyrtare të Policisë së Sarandës, mësohet se ka qenë qeni antidrogë që ka nuhatur se brenda mjetit ka pasur lëndë narkotike, e cila më pas është zbuluar nga policia.


Menjëherë është njoftuar grupi hetimor dhe Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Komisariatin e Policisë Sarandë, të cilët pas kontrollit të imtësishëm të automjetit, kanë gjetur dhe sekuestruar në brendësi të mjetit rreth 32 kg canabis sativa.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, Specialistët për Hetimin e Narkotikëve kanë arrestuar në flagrancë  drejtuesin e mjetit shtetasin me inicialet N.R., 34 vjeç, banues në Sarandë. Policia Kufitare ka shkëmbyer menjëherë informacion me homologët grek për të bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e pritësit të lëndës narkotike.

Në bashkëpunim me Prokurorinë Specialistët për Hetimin e Narkotikëve vijojnë punën për zbardhjen e plotë të kësaj tentative, me qëllim identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar. Materialet iu referuan Prokurorisë për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.




Skip to toolbar