‘Rafineria për skrap’, naftëtarët: I vëmë flakën

AKTUALITET


Ish-punonjësit e Kombinatit të Përpunimit të Naftës në Ballsh janë ngritur sërish në protestë e cila është mbajtur para dyerve të kësaj uzine. Ata shprehen se kanë informacione se rafineria e Ballshit do të çmontohet dhe do të shkojë për skrap, duke theksuar se nuk do ta lejojnë një gjë të tillë. Prerazi ata thonë se pa u likuiduar të gjithë me pagat e prapambetura, në rafineri do të futen vetëm ‘mbi trupat tanë’.

“Deri sa të shlyhen një më një naftëtarët, nuk shkel njeri këtu, vetëm mbi trupin tonë futen këtu. Boll kemi bërë negociata. Nëse duan që palët të zhdukin gjurmët e krimit, të bëjnë hesapet e tyre. Deri sa të likujdohen të gjithë naftëtarët, kjo rafineri do bëhet skrap nga ata dhe jo nga të tjerët. Jemi informuar që ka kaluar një mbështetje financiare, nuk është zbardhur asgjë në fletoren zyrtare, por ne jemi të shqetësuar nga disa zëra që qarkullojnë. Kjo rafineri është e naftëtarëve. Kemi ndenjur pa u paguar për 13 muaj. Me pak investime, kjo rafineri kthehet në punë, pse nuk e vënë në punë?”, thotë Sokol Dautaj, kreu i sindikatës së naftëtarëve.


Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku deklaroi disa ditë më parë se naftëtarët do të paguhen me 30 mijë lekë në muaj edhe për dy vitet në vijim, por naftëtarët shprehen se ende nuk ka një vendim të botuar në Fletoren Zyrtare dhe se as nuk janë thirrur për takim, teksa theksojnë se nuk janë për lëmoshë.Lexoni edhe:

“Ne jemi shprehur shumë qartë, ne nuk jemi për lëmoshë, nuk duam t’i rëndojmë buxhetit të shtetit, duam që rafineria të rikthehet në punë”, thekson Dautaj.




Skip to toolbar