Rama godet Bashën për Rrugën e Kombit (i shpëtoi drejtësisë me procedurë)

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama njofton se shumë shpejt do të hapen për udhëtarët 7 ura spektakolare në Rrugën e Kombit të lënë “gjysmake” nga qeverisja e kaluar e PD-së.

Ndërsa jep njoftimin e rëndësishëm kryeministri prek një temë delikate për shkak se Rruga e Kombit mbahet si vepra më madhore e qeverisë Berisha, por që ka një njollë të zezë mbi të, siç është akuza e prokurorisë ndaj ish ministrit Lulzim Basha për vjedhjen e 230 milionë eurove, i cili arriti t’i shpëtojë drejtësisë me procedurë.

Prokuroria nisi hetimet pas publikimit të raportit nga Kontrolli i Lartë të Shtetit, i cili konstaton vjedhjen e 230 milionë eurove me firmën e Lulzim Bashës. Sipas raportit të KLSH, vjedhja e parave është bërë me fatura fiktive, me rritje të kostove në letër, me tatimin mbi të ardhurat, me pagesa për punë të pakryera.

Prokuroria hetoi mbi këtë çështje dhe duke qenë se para se të dërgonte dosjen në gjykatë, duhet të njoftonte të pandehurin Lulzim Basha, ai arriti t’i shmanget marrjes në dijeni të hetimeve, duke u shtirë si i sëmurë. Disa herë, prokuroria tentoi të vinte në dijeni Bashën, që në kohën e hetimit ishte ministër i Jashtë, por ai iu shmang, duke penguar kështu prokurorinë që të çonte dosjen në gjykatë.

Pikërisht këto akuza që nuk morën asnjëherë dënimin nga gjykata la të kuptojë të martën edhe kryeministri Rama në postimin e tij, ndërsa shkruan se Rruga e Kombit mbeti “si gjysmagjel, me një krah e me një këmbë”, duke vënë në dukje abuzimet që u bënë në këtë autostradë të rëndësishme.

 “Edhe pak…. punë ditësh dhe 7 “gjysmagjelat” me një krah e me një këmbë, në Rrugën e Kombit, ku vargu i makinave mblidhej për vite si në grykën e shishes dhe aksidentet ishin të vazhdueshme, do të jenë 7 ura spektakolare të hapura në të dy krahët për qarkullimin”, shkruan Rama.

Me këtë, kryeministri ka gjetur një mënyrë thumbuese për t’iu përgjigjur kreut të opozitës, i cili prej disa ditësh përsërit të njëjtin refren për abuzime me fondet publike, por që duket se ka harruar abuzimin e 230 milionë eurove në Rrugën e Kombit, për të cilat u përgatit akuza ndaj tij që mbeti thjesht në fashikujt e prokurorisë.

EDHE PAK… punë ditësh dhe 7 “gjysmagjelat” me një krah e me një këmbë, në Rrugën e Kombit, ku vargu i makinave…

Gepostet von Edi Rama am Dienstag, 20. August 2019


Skip to toolbar