Brukseli rrëzoi kërkesën e Holandës për të rikthyer regjimin e vizave për shqiptarët, ndryshe nga deklarata e bërë të martën nga presidenti Meta, i cili tha se BE do të vendosë vizat për shkak të zgjedhjeve të 30 qershorit.
Pas këtij vendimi ka reaguar kryeministri Rama i cili garanton se vizat nuk rikthehen sepse Shqipëria s’ka shkelur asnjë kriter, ndërsa ironizon parashikimet e Metës.
“Ja dhe vizat s’u rikthyen siç predikuan e trumpetuan lajmësit e qametit që s’ndodhi! Komisioni Europian e refuzoi kërkesën e qeverisë holandeze dhe e vërteta doli fiks siç ishte kur e thamë e shumëkush s’e besoi: Vizat nuk rikthehen sepse Shqipëria s’ka shkelur asnjë kriter”, shkruan Rama.
Disa herë presidenti Meta, referuar protestave të opozitës, por edhe vendimi të maxhorancës për të zhvilluar zgjedhjet në 30 qershor, në kundërshtim me dekret-çdekretet e tij, ka deklaruar se Shqipëria rrezikon t’i rikthehet regjimi i vizave me BE.
Por Brukseli e hodhi poshtë këtë parashikim të Presidentit. Ndërsa Rama, që deri tani nuk ka kthyer asnjë përgjigje për konferencën e së martës dhe për një sërë sulmesh të presidentit, reagoi pikërisht pas vendimit të Brukselit, duke i vënë përfundimisht vizën presidentit dhe akuzave të tij.