Meta si Holanda, “shqetësim për vizat”. (Pasi mori vesh hapjen e negociatave në tetor?)

Më të fundit


Në ditën kur Komisioni Europian pritet të diskutojë për hapjen e negociatave me Shqipërinë, Presidenti i Republikës ka sulmuar qeverinë për vizat, duke i bërë thirrje që të marrë masa, pasi rrezikohet rikthimi i vizave. Kreu i Shtetit  e ka bazuar thirrjen e tij në deklaratën e Avramopoulos të hënën për DW, kur tha se BE mund të ndërmarrë hapa, po u shtuan kërkesat për azil, por Presidenti Meta e ka cilësuar rrezik për Shqipërinë këtë deklaratë, pavarësisht se komisari për migrim thoshte po vetë në atë prononcim se aktualisht kërkesat janë në nivel të ulët.

Në njoftimin e Presidentit Meta deklarohet se ndërkohë që e gjithë vëmendja është përqendruar drejt një vendimi të mundshëm pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me BE, Presidenti vëren me shqetësim të thellë rrezikun e rivendosjes së regjimit të vizave Shengen për Shqipërinë. 


“Pas depozitimit të kërkesës së Holandës për pezullimin e vizave drejtuar Komisionit Europian, njoftimi i djeshëm i Komisionerit për Migrim, Punët e Brendshme dhe Shtetësi, z. Dimitris Avramopoulos që paralajmëronte ndërmarrjen e masave ndaj Shqipërisë, krahas Venezuelës dhe Kolumbisë, është një kambanë alarmi për të gjithë”, thotë Presidenti, duke u bërë thirrje të gjitha institucioneve shtetërore përgjegjëse të ndjekin me prioritet absolut këtë çështje që mbart një ndjeshmëri të madhe për të gjithë qytetarët shqiptarë. 

Të hënën, Komisari i BE për Migrimin, Dimitris Avramopulos përballë gazetave të Grupit Mediatik Funke deklaroi se numri i hyrjeve legale të azilkërkuesve në BE po rritet. “Veçanërisht persona nga Amerika Latine dhe Ballkani Perëndimor e kanë përdorur regjimin ekzistues të lëvizjes pa viza, të vendeve të tyre, për të hyrë në BE. Megjithatë, kuotat e njohjes së kërkesave për azil, të personave që hyjnë pa viza, janë minimale.  Në këtë mënyrë, numri i hyrjeve pa viza të azilkërkuesve nga Venezuela në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar u rrit me 121 për qind në 14.257, nga Kolumbia me 156 për qind në 8,097 dhe nga Shqipëria u rrit me 30 për qind në 7,138. Megjithatë, në tërësi numri i azilkërkuesve në BE është në nivelin e ulët të vitit 2014, para krizës së refugjatëve”, tha Avramopoulos.

Deklaratat për rrezikun e rikthimit të vizave në Shqipëri kryesisht janë bërë nga opozita pas kërkesës së Holandës, por shtetet anëtare, po ashtu dhe qeveria shqiptare, kanë deklaruar se kjo kërkesë nuk e rrezikon Shqipërinë, duke shpjeguar edhe një sërë hapash që ndiqen deri në një vendim të BE-së.




Skip to toolbar