Rama mban sot mbledhjen e parë të qeverisë së re

Më të fundit


Kryeministri Edi Rama pak pas betimit të tij dhe kabinetit qeveritar te presidenti Ilir Meta do të mbajë mbledhjen e parë të qeverisë.

Lajmi është bërë i ditur nga gazetari Ergys Gjençaj.


Në një lidhje live për ‘News24’ Gjençaj tha se në këtë mbledhje, e cila thuhet se do të jetë e hapur për mediat, do të merren disa vendime.

PROJEKTVENDIMET
Ju njoftojmë se ditën e shtunë, datë 18.9.2021, ora 10:30, zhvillohet mbledhja e Këshillit të Ministrave, me këtë

REND DITE

PROJEKTLIGJE:
1. Për bashkëqeverisjen.
KRYEMINISTRI

2. Për statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”.
KRYEMINISTRI

3. Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfaqësuar nga Sekretariati për Çështjet Evropiane dhe Komisionit Evropian, për programin e bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, Maqedoni e Veriut – Shqipëri 2014-2020, alokimet për vitin 2020.
MINISTRI PËR EVROPËN DHE PUNËT E JASHTME

4. Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.
MINISTRI I BRENDSHËM

5. Për ratifikimin e konventës, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së shtetit të Izraelit për shmangien e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimin mbi të ardhurat.
MINISTRI I FINANCAVE DHE EKONOMISË

PROJEKTVENDIME:

6. Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Shtetërore për Media dhe Informim.
KRYEMINISTRI

7. Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.830, datë 15.9.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Kodit Etik Ministror”.
KRYEMINISTRI

8. Për disa shtesa në vendimin nr.187, datë 8.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të nëpunësve civilë/nëpunësve, zëvendësministrit dhe nëpunësve të kabineteve në disa institucione të administratës publike”, të ndryshuar”.
KRYEMINISTRI

9. Për përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e zbatimit, mbikëqyrjes dhe kolaudimit për rehabilitimin e infrastrukturës së rrjetit të kullimit në zonën e Porto Romanos – Kënetë dhe sistemimin e rrjetit të ujërave të shiut në zonën urbane të qytetit të Durrësit dhe caktimin e Bashkisë Durrës si njësi zbatuese.
ZËVENDËSKRYEMINISTRI DHE MINISTËR I SHTETIT PËR RINDËRTIMIN DHE PROGRAMIN E REFORMAVE

10. Për miratimin, në parim, marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) – Krushevë (Dragash).
MINISTRI I BRENDSHËM

11.Për miratimin, në parim, të marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës për rregullat e regjimit të trafikut lokal të kufirit.
MINISTRI I BRENDSHËM

12. Për miratimin, në parim, të ndryshimit nr.14 të marrëveshjes së ndihmës për objektiva zhvillimi, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për forcimin e shtetit të së drejtës, qeverisjen e mirë dhe krijimin e kushteve për një rritje ekonomike me bazë të gjerë dhe të qëndrueshme, të ratifikuar me ligjin nr. 174/2013.
MINISTRI I FINANCAVE DHE EKONOMISË

13. Për miratimin, në parim, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (huamarrësi), dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, për financimin e projektit “Politika për mbështetjen e reformës në sektorin energjetik në Shqipëri”.
MINISTRI I FINANCAVE DHE EKONOMISË MINISTRI I INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË

14. Për punësimin në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes së sportistëve, që përfaqësuan denjësisht kombin shqiptar me rezultatet e tyre në Lojërat Olimpike 2020.
MINISTRI I ARSIMIT DHE SPORTIT
MINISTRI I MBROJTJES

15. Për mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të znj. Elidiana Kasa.
MINISTRI I SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE

16.Për miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatë Zvicerane, përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) e Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, e cila vepron përmes Ambasadës Zvicerane në Shqipëri mbi projektin “Shkollat për shëndetësi”, faza e parë, mars 2021 – shkurt 2025, një projekt dypalësh bashkëpunimi dhe zhvillimi”.
MINISTRI I SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE
MINISTRI I ARSIMIT DHE SPORTIT




Skip to toolbar