Rama-Mogherini: Hapja e negociatave në qershor është ajo që presim

POLITIKË


Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një konferencë për shtyp me Shefen e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini. Konferenca për shtyp erdhi pas një takimi dypalësh të zhvilluar mes tyre ku u diskutua lidhur me reformat e ndërmarra dhe hapjen e negociatave dhe integrimit të Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij Rama tha se Shqipëria i ka bërë detyrat e saj dhe pret që në qershor të hapen negociatat.

“Nuk është sekret që presim vetëm një përgjigje nga KE, pra se i kemi kryer të gjitha detyrat e shtëpisë dhe meritojmë çeljen e negociatave për anëtarësim. Këtë pritshmëri e kemi të bazuar jo se dikush duhet të na dhurojë diçka, por se i kemi kryer të gjitha detyrat dhe Shqipëria flet me gjuhen e rezultateve mbi të cilat duhet edhe të gjykohet. Ne jemi të vetëdijshëm që në fund të ditës gjykimi dhe vendimi final mbi rekomandimin e KE do të varet nga rrethanat specifike në çdo vend anëtar. Vendimmarrja varet nga ne por edhe nga faktorë të jashtëm që nuk varen nga ne. Por besoj shumë që është koha për t’i dhënë fund një përpjekje për t’i filluar përfundimisht negociatat. Çelja e negociatave është guri që i mungon këtij themeli për të vazhduar të ndërtojmë rrugën tonë europiane. Gjithçka që kemi bërë mjafton për të çelur negociatat, por është larg të qenit e mjaftueshme për të përmbushur të gjitha detyrimet tona ndaj qytetarëve të vendit dhe BE.” – tha Rama

Ndërsa Mogherini tha se sukseset e qeverisë janë fokusuar në tre fusha kryesore që është reforma në drejtësi, luftimi i kultivimit të drogës dhe grupeve kriminale në vend. Mogherini tha se BE vlerëson punën pozitive që është deri tani dhe se hapja e negociatave në qershor është e mundur nëse të gjithë punojmë për të forcuar besimin dhe opinionin e mirë për Shqipërinë.

“Një vit më parë unë solla lajmin e mirë të rekomandimit pozitiv të KE për hapjen e negociatave dhe përgëzova punën tuaj dhe institucioneve për arritjet që kishit bërë. Unë besoj se ky mesazh inkurajimi dhe faktit që kemi njohur punën që është bërë u meritua plotësisht rekomandimi pozitiv për hapjen e negociatave nga KE. Një vit më pas ju keni arritur të konsolidoni këtë ecuri dhe keni arritur rezultate konkrete në lidhje me disa reforma. Ju përgëzoj për punën e bërë për 3 zhvillime kryesore. Ju keni arritur të keni një reformë në drejtësi e cila do të ishte shembull edhe për disa nga vendet anëtare të BE, vettingu ka nisur të sjell rezultate të prekshme. Së dyti ulja drastike të kultivimit të kanabisit dhe së treti goditja e bandave dhe krimit. Ne duhet të jemi mbështetës ndaj Shqipërisë për të objektivin e saj drejtë BE-së. Është përgjegjësia jonë që ne të njohim punën tuaj dhe të japim vlerësime pozitive. Besoj se çelja e negociatave në qershor është i arritshëm, por nuk duhet ta marrim lehtë. Ti përdorim javët në vijim për të punuar që shtete anëtare të BE-së të njohin punën e tyre. Vazhdoni jepni kontributin tuaj duke komunikuar me miqtë tuaj europianë që të kenë më shumë besim te Shqipëria dhe e ardhmja jonë europiane.”- tha Mogherini



Skip to toolbar