Mogherini: Hapja e negociatave, vendim thelbësor për BE

Përfaqësuesja e lartë për politikën e Jashtme dhe të Sigurisë në Bashkimin Europian, Federica Mogherini ka deklaruar edhe njëherë mbështetjen e saj për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa ka thënë se ky është një vendim thelbësor dhe i rëndësishëm i BE-së. Ajo e ka bërë këtë deklaratë gjatë një takimi që zhvilloi  të dielën në mbrëmje me drejtuesit e Ballkanit  Perëndimor, me të cilët pati një darkë tradicionale pune, pak para nisjes së asamblesë së 74-të të përgjithshme të Këshillit të Bashkuar në Nju Jork.

Në këtë takim, Mogherini dhe përfaqësuesit nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, diskutuan mbi përparimet thelbësore të arritur deri tani, si dhe për detyrat për të ardhmen.

Gjatë takimit, u shpreh mbështetja për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke nënvizuar se ky vendim është thelbësor jo vetëm për të dy vendet në fjalë, por për të gjithë rajonin dhe për Bashkimin Europian.

Të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor konfirmuan angazhimin e tyre të fortë për perspektivën e BE-së, duke theksuar se puna për reformat vazhdon, ashtu si dhe bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Një çështje tjetër që është diskutuar në këtë darkë pune ka qenë edhe raporti Serbi-Kosovë, ku është nënvizuar nevoja e vazhdimit të dialogut mes dy vendeve si dhe për një marrëveshje juridikisht detyrues për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

Në një njoftim të shpërndarë për mediat në faqen zyrtare të BE-së, thuhet se Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian dhe drejtuesit e Ballkanit Perëndimor shprehën solidaritetin e tyre me Shqipërinë për goditjet nga një seri tërmetesh të forta këtë fundjavë.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin që Këshilli i Evropës të miratojë pro çeljes së negociatave për këto dy vende, në mbledhjen e datës 18 tetor.

Mogherini: Shpresoj që negociatat për Shqipërinë të hapen sa më shpejt

Përfaqësuesja e lartë për politikë të Jashtme në BE, Federica Mogherini ka deklaruar se shpreson që negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të hapen sa më shpejt.

Ajo ka folur për mediat e huaja dhe ka thënë se vendet anëtare të BE-së duhet të kujtojnë fuqinë e lidershipit dhe t’i japin kuroja vendeve të Ballkanit perëndimor.

“Sot është pikërisht 1 vit pas nënshkrimit të marrëveshjes së Prespës mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Dhe unë mendoj se duhet ti kujtojmë vetes fuqinë e lidership-it dhe kurajës, si edhe hapat e rëndësishëm që janë marrë në Ballkanin Perëndimor. Shpresoj se shtetet anëtare do ta kujtojnë këtë duke marrë një vendim të rëndësishëm në ditët në vijim për hapjen e negociatave për të dyja Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Shpresoj dhe besoj se duhet të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Mogherini.

Kujtojmë se Mogherini është mbështetëse e çeljes sa më parë të negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së. Ndërsa shumë shpejt pritet që vendimi të merret nga Këshilli i Europës.

Mogherini me Cakaj: Shqipëria meriton hapjen e negociatave në qershor

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, zhvilloi në Bruksel një takim me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian Federica Mogherini, ku u diskutua mbi avancimin e procesit të integrimit të vendit tonë pas rekomandimit të Komisionit Evropian për hapjen e bisedimeve për anëtarësim.

Përfaqësuesja e Lartë Mogherini përgëzoi Ministrin Cakaj për përsëritjen e rekomandimit të qartë të Komisionit, duke theksuar se ky është një vlerësim i merituar dhe rezultat i reformave gjithëpërfshirëse të ndërmarra nga vendi ynë, duke veçuar arritjet e prekshme në reformën e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Bashkëbiseduesit ndanë vlerësimin se Shqipëria është e gatshme dhe ka bërë të gjitha detyrat e kërkuara për të hapur negociatat me BE dhe është e nevojshme që Këshilli Evropian të reagojë pozitivisht, në linjë me rekomandimin e Komisionit.

Akuzat për ndarjen e Kosovës, Mogherini: Më shumë mençuri nga liderët

Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi dhe akuzave të Haradinaj se ekziston një plan për ndryshimin e kufijve të Kosovës, Mogherini ka thënë se roli i saj është si lehtësuese për krijimin e kushteve dhe atmosferës ku dy palët të takohen, por se çfarë vendoset mes tyre është plotësisht në dorë të Kosovës dhe Serbisë. Mogherini tha se taksa e Kosovës 100% për mallrat serbë ka sjell dhe ngërçin në dialog, ndërsa bëri thirrje për më shumë mençuri dhe zgjuarsi pasi askush nuk del i përfituar nga mungesa e dialogut.

“Dialogu ka sjellë rezultate të rëndësishme për vite me radhë si për Beogradin ashtu dhe për Prishtinën, por edhe për rajonin. Muajt e fundit kanë qenë të vështirë dhe kanë qenë të vështirë që nga momenti që mund të kishte hyrë e gjitha në një fazë negocimesh më intensive dhe objektivi jonë ka qenë dhe vazhdon të jetë, objektivi i të arriturit në një marrëveshje ligjore të dakordësuar për të arritur normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. Gjatë muajve të fundit vendimi i qeverisë së Kosovës 100% tarifa për mallra që vinin nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina kanë krijuar një ambient që nuk është frytdhënës për dialogun dhe është dhe në shkelje të marrëveshjeve që ka nënshtruar Kosova.

Nga ana jonë e BE dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë kemi kërkuar të hiqen këto tarifa dhe kjo do të krijonte menjëherë kushtet që të rifillonte dialogu. Unë jam e bindur se në rast se do të hiqen këto tarifa, sonte, nesër në mëngjes unë do të bëja thirrje për një seancë të re të dialogut dhe kjo do të ishte e vështirë dhe e dhimbshme si zakonisht por ndoshta produktive. Në mungesë të këtij mjedisi unë nuk shoh që këto gjëra të rifillojnë.

Përgjegjësia është në duart e vendimmarrësve në Kosovë. Natyrisht që një mjedis ushqyes që sjell këtë gjë do të thoshte dhe pezullimin e fushatave për njohjen apo rinjohjen e Kosovës. Kjo nuk do të thotë se ne po heqim dorë nga lehtësimi i dialogut. Nuk jemi pjesë e ndonjë plani të caktuar. Roli i lehtësuesit do të thotë të krijosh kushtet, atmosferën, ambientin, mundësinë, hapësirën që të dyja palët të bëhen bashkë.

Dialogu është i tyre, nuk është i yni, nuk na përket ne. Jo vetëm që e respektojmë pozicionet dhe qëndrimet negociuese të secilës palë, por ne marrim shumë seriozisht dhe rolin tonë. Unë e marr seriozisht dhe rolin tim personal të të mos përcaktimit të përmbajtjes së marrëveshjeve të ardhshme por lejimin e asaj që do të jetë një marrëveshje ligjore dhe për normalizimin e marrëdhënies.

Ne duhet të rikrijojmë këtë hapësirë, këtë mundësi. Shpresoj të dominojë mençuria dhe zgjuarsia pasi askush nuk do të fitonte nga ky ngërç i vazhdueshëm në dialog, as Kosova, as Serbia por as pjesa tjetër e rajonit. Pajtimi dhe normalizimi, ashtu siç e ka përjetuar dhe vetë BE, është baza për begatinë ekonomike dhe integrimin, unë e di sa e rëndësishme është kjo për të gjithë qytetarët e Ballkanit. Askush nuk mund të nënvlerësojë interesin e të gjithë ne për rifillimin e këtij dialogu në mënyrë të respektuar ndaj të gjithëve.” – tha Mogherini

Mogherini: Nuk ndërmjetësoj mes partive politike, kriza zgjidhet nga ju

E pyetur nga gazetarët se pse nuk kishte një axhendë për zgjidhjen e krizës politike në vend, Mogherini tha se këtë gjë nuk e ka bërë kurrë, pasi kjo nuk është një qasje që BE ndjek me vendet partnere. Mogherini tha se nuk ka bërë kurrë ndërmjetësime mes partive politike në asnjë vend si brenda ashtu edhe jashtë BE-së.

“Unë asnjëherë nuk hyjë në negociata apo ndërmjetësimeve mes partive politike në një vend të caktuar. Këtë duhet ta bëjë politika e brendshme dhe roli i BE është që të ketë marrëdhënie me të gjithë qeverinë, institucionet dhe shoqërinë. Ky është roli që unë i përmbahem në mënyrë të rreptë. Nuk kam bërë ndërmjetësim në 2017 në dinamikën e brendshme të politikës shqiptare dhe nuk e kamë bërë këtë as në vendet e tjera. Kjo nuk është qasja jonë për marrëdhënien institucionale dhe politike me vendet tona partnere.” – tha Mogherini

Rama-Mogherini: Hapja e negociatave në qershor është ajo që presim

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një konferencë për shtyp me Shefen e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini. Konferenca për shtyp erdhi pas një takimi dypalësh të zhvilluar mes tyre ku u diskutua lidhur me reformat e ndërmarra dhe hapjen e negociatave dhe integrimit të Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij Rama tha se Shqipëria i ka bërë detyrat e saj dhe pret që në qershor të hapen negociatat.

“Nuk është sekret që presim vetëm një përgjigje nga KE, pra se i kemi kryer të gjitha detyrat e shtëpisë dhe meritojmë çeljen e negociatave për anëtarësim. Këtë pritshmëri e kemi të bazuar jo se dikush duhet të na dhurojë diçka, por se i kemi kryer të gjitha detyrat dhe Shqipëria flet me gjuhen e rezultateve mbi të cilat duhet edhe të gjykohet. Ne jemi të vetëdijshëm që në fund të ditës gjykimi dhe vendimi final mbi rekomandimin e KE do të varet nga rrethanat specifike në çdo vend anëtar. Vendimmarrja varet nga ne por edhe nga faktorë të jashtëm që nuk varen nga ne. Por besoj shumë që është koha për t’i dhënë fund një përpjekje për t’i filluar përfundimisht negociatat. Çelja e negociatave është guri që i mungon këtij themeli për të vazhduar të ndërtojmë rrugën tonë europiane. Gjithçka që kemi bërë mjafton për të çelur negociatat, por është larg të qenit e mjaftueshme për të përmbushur të gjitha detyrimet tona ndaj qytetarëve të vendit dhe BE.” – tha Rama

Ndërsa Mogherini tha se sukseset e qeverisë janë fokusuar në tre fusha kryesore që është reforma në drejtësi, luftimi i kultivimit të drogës dhe grupeve kriminale në vend. Mogherini tha se BE vlerëson punën pozitive që është deri tani dhe se hapja e negociatave në qershor është e mundur nëse të gjithë punojmë për të forcuar besimin dhe opinionin e mirë për Shqipërinë.

“Një vit më parë unë solla lajmin e mirë të rekomandimit pozitiv të KE për hapjen e negociatave dhe përgëzova punën tuaj dhe institucioneve për arritjet që kishit bërë. Unë besoj se ky mesazh inkurajimi dhe faktit që kemi njohur punën që është bërë u meritua plotësisht rekomandimi pozitiv për hapjen e negociatave nga KE. Një vit më pas ju keni arritur të konsolidoni këtë ecuri dhe keni arritur rezultate konkrete në lidhje me disa reforma. Ju përgëzoj për punën e bërë për 3 zhvillime kryesore. Ju keni arritur të keni një reformë në drejtësi e cila do të ishte shembull edhe për disa nga vendet anëtare të BE, vettingu ka nisur të sjell rezultate të prekshme. Së dyti ulja drastike të kultivimit të kanabisit dhe së treti goditja e bandave dhe krimit. Ne duhet të jemi mbështetës ndaj Shqipërisë për të objektivin e saj drejtë BE-së. Është përgjegjësia jonë që ne të njohim punën tuaj dhe të japim vlerësime pozitive. Besoj se çelja e negociatave në qershor është i arritshëm, por nuk duhet ta marrim lehtë. Ti përdorim javët në vijim për të punuar që shtete anëtare të BE-së të njohin punën e tyre. Vazhdoni jepni kontributin tuaj duke komunikuar me miqtë tuaj europianë që të kenë më shumë besim te Shqipëria dhe e ardhmja jonë europiane.”- tha Mogherini

Mogherini të mërkurën në Tiranë, por jo për krizën

Shefja e lartë e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini do të vizitojë Tiranën në datat 8 dhe 9 maj ku do të marrë pjesë në samitin “Brdo-Brijun”, ku do të jenë të pranishëm presidentët e Rajonit.

Pavarësisht se vizita e saj përkon me kulmin e një krize politike në vend, duket se Mogherini nuk e ka aspak në plan të negociojë me palët. Të paktën kështu ka thënë sot për mediat ambasadori i BE-së, Luigi Soreca.

 “Përfaqësueja e lartë e BE, Federica Mogherini do të jetë në Tiranë për arsye rajonale ku do jenë të pranishëm presidentët e Rajonit. Ajo do të ketë takime dypalëshe më autoritetet më të larta të Shqipërisë. Misioni ka qenë i parashikuar dhe ndërmjetësimi nuk është në axhendë për momentin”, deklaroi Soreca.

Ambasadori i BE, Luigi Soreca tha se krizën duhet ta zgjidhin vetë shqiptarët dhe se ekziston një urë për dialog.

“Pra, janë partitë politike, qeveria, opozita që duhet të gjejnë atë urën që ekziston, në mënyrë që të tejkalojnë këtë ngërç, në të cilin gjendemi dhe që nga kjo të përfitojnë qytetarët e Shqipërisë, pra përfaqësimi i plotë i tyre në zgjedhje”, tha ambasadori i BE.

Mogherini e shqetësuar për lirinë e medias: Ka përpjekje për ta frenuar

Në ditën botërore të lirisë së medias vjen dhe një mesazh nga shefja e politikës së jashtme në BE, Frederica Mogherini. Ajo ka deklaruar se BE është e vendosur të mbrojë median e lirë, por së fundi sipas saj, ka përpjekje për ta frenuar atë.

 “Po shohim gjithnjë e më shumë përpjekje për të frenuar hapësirën për median e lirë, gjithashtu për të minuar në mënyrë sistematike kredibilitetin e mediave. Shumë gazetarë kanë humbur jetën ose e kanë rrezikuar jetën e tyre për të vënë në pah të vërtetën. Demokracia e shëndetshme mbështetet në një debat publik të hapur, të lirë dhe të ndershëm dhe është detyrë e jonë të mbrojmë këtë hapësirë dhe të mos lejojmë askënd të përhapë dezinformata që nxisin urrejtjen, ndarjen dhe mosbesimin në demokraci”, u shpreh Mogherini në një komunikatë të lëshuar mbrëmë, në prag të Ditës Botërore të lirisë së medias është sot data 3 Maj.

Kjo datë u vendos nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në dhjetor 1993, pas rekomandimit të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s.

Raporti  për vititin 2019 për lirinë e shtypit të publikuar nga Reporterët pa Kufij (RSF) tregon se numri i vendeve që konsiderohen të sigurta, ku gazetarët mund të punojnë në siguri të plotë, vazhdon të bjerë nga viti në vit, ndërkohë që janë shtuar rastet e dhunës ndaj gazetarëve.

Mogherini në Tiranë për krizën politike

Me ftesë të presidentit Ilir Meta, shefja e Diplomacisë Europiane, Federica Mogherini pritet të vizitojë Tiranën në datat 8-9 Maj.

Mogherini do të marrë pjesë në punimet e samitit Brdo-Brijun, ku do të mblidhen të gjithë presidentët e Ballkanit, për të diskutuar për projektet e përbashkëta dhe ndihma që duan nga BE.

Ajo do marrë pjesë në aktivitete në kuadër të Ditës së Europës si dhe pritet të ketë takime edhe me kryeministrin Rama dhe përfaqësues të opozitës, lidhur me krizën politike në vend.

Skip to toolbar