Rama në Finiq premton: Aeroportin e Sarandës dhe…zgjedhje më 30 qershor

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama ndaloi në Finiq për të prezantuar kandidatin për kryetar të kësaj bashkie për zgjedhjet e 30 qershorit. Komunitetit minoritar grek të kësaj bashkie, Edi Rama nuk u ka folur shumë për politikën e madhe dhe krizën e Tiranës, duke e përqëndruar ligjërimin e tij në premtime konkrete për banorët, që sipas Ramës, në katër vitet e ardhshme do të ndryshojnë jetën e komunitetit. Mes premtimeve, ishte dhe nisja e punës për ndërtimin e atij që është quajtur “aeroporti i Sarandës”, që do të nderohet në hapësirën e administruar nga bashkia Finiq.

Do shkurtojmë rrugën më Athinën duke ndërtuar aeroportin. Aeroporti i Sarandës që është premtuar, po ju them se kemi filluar punën dhe do të fillojmë ndërtimin e tij brenda mandatit të ri, këtu aeroporti do të ketë nisur nga puna në një kantier real.. Nuk jap data dhe afate sepse është lidhur me partnerë të tjerë. E kam mësuar dhe unë. Dëshira ime është që ta përfundojmë por më mirë të jemi të kujdesshëm, nëse na duan më shumë do e mbarojmë para afatit. Besoj se ka ardhur koha që t’ia japim këtë gjë jugut. Ka nevojë edhe për këtë pikë ulje dhe dalje që i mungon”, tha Rama.


Megjithatë, në fund të fjalës së tij, kryeministri i vendit, nuk anashkaloi tërësisht krizën politike të Tiranës. Rama u shpreh i vendosur për mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor, ndërkohë, sipas tij, kush do të luajë me zjarrin ditën e zgjedhjeve, do të prehet në të.

“Nuk fola për politikën kombëtare, por duke qenë se ka akoma njerëz që mendojnë se s`do ketë zgjedhje, unë po ju them se më 30 qershor do ketë zgjedhje. Këtu do fitojë Kristaqi. Me që na ka dalë nami se ne e dimë rezultatin përpara, ne e dimë rezultatin sepse punojmë. Përpjekja për ta rikthyer Shqipërinë mbrapa nuk ka asnjë shans, sepse nuk ka popull. Ata nuk janë absolutisht mbështetës të rrumpallës, të kaosit dhe të dhunës. Kush i fryn zjarrit të dhunës është i destinuar të prehet në atë zjarr. Nuk ka shans që në Shqipërinë e 2019 të fitojë dhuna”, u shpreh Kryeministri.

Rama, gjithashtu garantoi komunitetin minoritar të bashkisë Finiq, por dhe qytetarët shqiptarë, se 30 qershori do të jetë një ditë e qetë. Sipas tij, edhe nëse do të ketë raste sporadike të problemeve në qendrat e votimit, ato do të jenë të pafuqishme të bllokojnë zgjedhjet.

“Më 30 qershor Shqipëria do të bëj zgjedhje, në një pjesë të territorit kemi nga një kandidat, jo se kemi dashur ne. Në një pjesë tjetër kemi më shumë se një kandidat. Këtu kemi dhe një garë që nuk duhet nënvlerësuar, sepse është është shumë e rëndësishme që populli i bashkuar ti thotë jo politikës së dhunës, rrëmujës, urrejtjes, të sharjes. Jam i bindur që 30 qershori do të jetë një ditë normale, edhe sikur të ketë shfaqe sporadike, edhe sikur të ketë orvatje të dëshpëruara, ato do të jenë të pafuqishme të bllokojnë 30 qershorin. Ato katër persona hallin e tyre të madh me drejtësinë duan ta transferojnë në popull, sepse nuk duan që të çelen negociatat, që Shqipëria të jap llogari për drejtësinë”, tha ndër të tjera Rama.




Skip to toolbar