Rasti “Sanader” dhe integrimi europian

#NËRADAR


Ndërsa foli për negociatat me BE-në, gjatë fjalës së mbajtur në seancën e së enjtes, kryeministri Rama dha një mesazh të qartë për presidentin Meta, por jo vetëm, (edhe për Berishën, Bashën, Monën etj.), një mesazh që u sfumua disi nga Shkodra dhe lajmet për anti-miting, përplasje, madje dhe gjasat për një tjetër 2 prill. Por fatmirësisht asgjë nga këto nuk ndodhën, PD u tërhoq pas çjerrjes së Voltanës dhe lotëve të Nokës.

Kthehemi te Rama. Ai dje në Kuvend tha se Shqipëria duhet të japë prova konkrete (ashtu siç kanë bërë edhe shtete të tjera) që të fitojë integrimin, duke vënë para drejtësisë, presidentë e kryeministra, me pak fjalë zyrtarë të lartë.

“Siç mëson eksperienca e integrimit në vende që na kanë pararendur, kjo do të thotë që sistemi i drejtësisë të jetë i gatshëm të provojë aftësinë e vet për të hetuar, gjykuar dhe ndëshkuar presidentë, ish-presidentë, kryeministra, ish-kryeministra, ministra, ish-ministra e kështu me radhë. Kjo është edhe arsyeja themelore e gjithë kësaj orvatje, ku bashkohen ankthi nga drejtësia me natyrisht, frikën nga zgjedhjet. Si më mirë e ku më me shpresë për të realizuar këtë hedhje në erë të sistemit të ri demokratik, mund të realizohet kjo, sesa duke marrë peng procesin zgjedhor”, tha kryeministri duke futur edhe veten në listë.

Deklaratë kjo që u la në hije gjatë ditës së djeshme për shkak të zhvillimeve të nxehta politike.

Por çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se ne duhet t’i provojmë BE-së se jemi të aftë të garantojmë drejtësi të barabartë për të gjithë, që ashtu siç hapet burgu për atë që vjedh dritat, ashtu edhe të hapet për atë që vjedh paratë e shqiptarëve në koncesione miliona euro, apo që bën pastrim parash në kompani fantazmë, apo që shkel Kushtetutën, apo që bashkëpunon me kriminelët.

Askush të mos ketë imunitet, as Meta, as Berisha, as Basha, e Rama vetë, ministrat e ish-ministrat po e po.

Kjo nuk do të thotë që të bëhet kurban, por të vërtetohet se shteti ligjor ekziston jo vetëm në letra por edhe në realitet dhe pikërisht me pastrimin e drejtësisë nga vetting-u dhe me ngritjen e institucione që do të monitorohen nga ndërkombëtarët çdo gjë është e mundur. Dhe me siguri që këtë e dinë shumë mirë si Meta, si Basha ashtu dhe Berisha, ndaj dhe u gjuajnë me gurë zgjedhjeve, krijojnë kaos e rrëmujë, shtyjnë negociatat. Qëllimi është i qartë: të shtyjnë sa më gjatë funksionimin e drejtësisë së re.

Por, pa drejtësi nuk ka integrim. Kjo na kujton rastin e Kroacisë, që siç përmend Rama në fjalimin e tij dha shembuj konkretë, pa u pranua në gjirin e BE-së. Çfarë ndodhi në Kroaci? Nëse ju kujtohet Kroacia është ndër vendet e fundit që i është bashkuar BE-së në vitin 2013. Por më herët dha prova të qarta (atë që ende nuk po e bën Shqipëria) se e meritonte anëtarësimin dhe një nga këta ishte arrestimi ish-kryeministrit Ivo Sanader. Ai u arrestua pas vitesh të tëra akuzash dhe u vë nën hetim për korrupsion dhe përfitim ryshfetesh dhe duhet përmendur fakti se gjithçka nisi nga indiciet e medias për orët e shtrenjta që mbante në dorë.

Pas një hetimi të thelluar u vërtetua se ish-kryeministri kishte shpërdorur pushtetin për fitime personale dhe u arrestua në Austri përmes një urdhri ndërkombëtar në vitin 2010.

Tre vite më pas Kroacia pranohet në BE. Përmes këtij mesazhi Rama e bëri të qartë rrugën tonë për në BE: ka ardhur koha që edhe ne të veprojmë si Kroacia, dhe nuk ka asnjë arsye që 3-4 njerëz të mbajnë larg këtë vend nga ëndrra evropiane./Realstory.al



Skip to toolbar