Real Madrid dhe Chelsea kanë arritur marrëveshjen për sulmuesin belg, Eden Hazard. Gazeta spanjolle “AS” shkruan se dy klubet duket se kanë gjetur një marrëveshje, për transferimin e Hazard nga Londra në Madird.
Ndonëse Chelsea kërkonte 130 milionë euro për të lëshuar Hazard, Abramovic është bindur për ta lënë të lirë belgun për rreth 100 milionë euro, duke parë se kontrata e tij skadon vitin e ardhshëm, ndërsa sulmuesi 28-vjeçar nuk ka shprehur dëshirën për të rinovuar.
Marrëveshja mes dy klubeve është mbyllur në orët e vona të së mërkurës. Megjithatë, Federata Belge e Futbollit nuk ka pasur informacion se nëse lojtari kishte planifikuar një lëvizje drejt Madridit këtë të enjte, pasi aktualisht ai është i grumbulluar me kombëtaren e Belgjikës për dy ndeshjet kualifikuese të Euro 2020.
Veç “AS”, lajmin për arritjen e marrëveshjes mes Real Madrid dhe Chelsea për Hazard e ka shpërndarë dhe “Sky Sport”, që shkruanë detaje të tjera nga transferimi.
Pritet që sulmuesi belg të nënshkruajë një kontratë pesë vjeçare në “Santiago Bernabeu”, teksa ai do të përfitojë veç pagës së lartë, edhe bonuse të tjera financiare. Mediat raportojnë se Real Madrid mund të bëjë që prej kësaj të enjte në mbrëmje prezantimin e Eden Hazard.