Reforma Zgjedhore, PS fton zyrtarisht edhe opozitën jashtë Kuvendit

POLITIKË


2 shtatori shënoi çeljen e sesionit të V parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë. Deputetët mbyllën kështu zyrtarisht pushimet dhe iu rikthyen miratimit të ligjeve në Kuvend, ku ky sesion i ri pritet të jetë mjaft i ngarkuar dhe me përgjegjshmëri të lartë duke u fokusuar tek reforma në drejtësi, reforma zgjedhore dhe integrimi i vendit. I pari që mori fjalën në Kuvend, ishte kryeparlamentari Gramoz Ruçi, i cili paraqiti planin e punës dhe prioritet që do të ketë ky parlament gjatë 2019. Prioritet i Kuvendit do të jetë Reforma Zgjedhore deklaroi Ruçi, ku i bëri edhe një herë thirrje opozitës që të marrë pjesë në diskutimin e saj dhe ndryshimet që kërkohen në këtë reformë në komisionin e posaçëm. Ruçi tha se dora e qeverisë është e shtrirë për opozitën jashtë parlamentit për reformën zgjedhore.

“Rekomandimi i komisionit për çeljen e negociatave është produkt i arritjeve në reformën në drejtësi. Në tetor shkojmë me siguri në plotësimin e këtyre detyrave. Dëshira e të gjithë shqiptarëve është çelja e negociatave. Ne duhet ta përdorim këtë fillim sesioni për të kompensuar atë që nuk bëmë mirë në sesionin e kaluar. Prandaj prioriteti i parë do të jetë përmbyllja e reformës zgjedhore. Do të jetë një produkt konsensual i Kuvendit duke përfshirë edhe opozitën jashtë parlamentare. Dora e shtrirë e Kuvendit nuk është mëshirë. Mbrojtja e Kushtetutës është garancia e Shqipërisë së nesërme. Reforma në drejtësi do të vijojë duke filluar me ngritjen e institucionet e reja.”- tha Ruçi


Gjatë fjalës së tij, Ruçi nuk la pa përmendur edhe akuzat që presidenti Meta dhe opozita jashtë parlamentare në lidhje me legjitimitetin e Kuvendit. Ai tha se Kuvendi është legjitim dhe funksional, pasi i ka votat e mjaftueshme për të miratuar çdo ligj, duke i kthyer kështu një përgjigje Metës dhe opozitës jo parlamentare, që e cilëson si jo legjitim.

“Me gjithë vështirësitë që u shkaktuan me lënien e mandateve nga opozita, kjo gjë nuk pengoi produktivitetin e Kuvendit. 40 nga 58 mandate u zëvendësuan shpejt, që ndihmoi në rikthimin e normalitetit dhe legjitimitetit të Kuvendit. Kuvendi fillon këtë sesion si funksional me kuorum kushtetues, me shumicë të kualifikuar për të miratuar çdo akt ligjor. Kjo shpreh edhe një përgjegjësi të lartë grupit opozitar, kushtetuese dhe politike për të cilën meritojnë mirënjohje. Kushtetuta u rezistoi aventurave duke shpëtuar sistemin nga kaosi dhe anarkia. “- tha Ruçi




Skip to toolbar