100 vjet nga Kongresi i Lushnjës. Politika vlerëson aktet e patriotëve

Më 21 janar të vitit 1920, kur Fuqitë e Madha, (forcat fituese të Luftës së Parë Botërore) ishin duke diskutuar në Konferencën e Paqes në Paris, dhe ku rreziku për copëtimin e Shqipërisë ishte prezent, dhjetëra delegatë nga të gjitha trojet shqiptare u mblodhën në Lushnje. Vendimi kryesor i këtij kongresi ishte mbrojtja e trojeve shqiptare, nga idea e hedhur në tryezën e Fuqive të Mëdha, për copëtimin e tyre, por njëkohësisht edhe krijimin e institucioneve qeverisëse të shtetit shqiptar, një ndër to dhe parlamenti. Këtë 21 janar, bëhen plotë 100 vjet nga dita e hapjes së punimeve të Kongresit të Lushnjës, punime që zgjatën deri në 31 janar të vitit 1920. Në kujtim të kësaj ngjarje të rëndësishme historike të shtetit shqiptar, në Tiranë u mbajt konferenca shkencore kushtuar 100-vjetorit të themelimit të parlamentarizmit shqiptar. Kreu aktual i Kuvendit, Gramoz Ruçi shprehu mirënjohjen e të gjithë paralamentarëve që kontribuan për mbrojtjen e vendit, e njëkohësisht shprehu mirënjohjen ndaj ish-presidentit të SHBA, Udro Uillson, që ndali projektin e copëtimit të kombeve të vogla.

 “Në përfundim të  Luftës së Parë Botëtore, tre nga gjashtë Fuqitë e Mëdha evropiane, vendosën të  ricoptonin Shqipërinë. Kombi shqiptar u ndodh në një nga udhëkryqet më të vështira të ekzistencës së tij. Kishte ardhur ora e rizgjimit, e mobilizimit të energjive për shpëtim kombëtar. Kësaj thirrjeje iu përgjigj pararoja e ndërgjegjes kombëtare, burrat prijës atdhetarë. Këta burra, në 21 janar 1920, u mblodhën në Kuvendin Kombëtar të Lushnjës dhe morën vendime të mëdha historike për të mos lejuar copëtimin e mëtejshëm të trungut kombëtar.  Ata përsosën dhe plotësuan vendimet e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, ringritën institucionet përfaqësuese e qeverisëse të shtetit dhe u dërguan kancelarive evropiane dhe ShBA mesazhin se shqiptarët janë të vendosur të luftojnë deri në fund për të qënë të lirë e të pavarur.  Por ishte vetëm zëri shpëtimtar i Presidentit Udro Uillson që ndali projektin famëkeq evropian për coptimin e Shqipërisë”, tha Ruçi.

Në fund, Gramoz Ruçi u shpreh se parlamenti aktual, ka si prioritet punën për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, ndërsa shtoi se kryesimi i OSBE nga vendi jonë është sfidë dhe nder. “Në këtë 100 vjetor të parlamentarizmit, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time dhe të Kuvendit të sotëm të Shqipërisë për veprimtarinë dhe kontributin e të gjithë parlamentarëve shqiptarë në zhvillimin, përparimin e demokratizimin  e Shqipërisë.  Kuvendi i Shqipërisë do vazhdojë të punojë me përkushtim për të afruar sa më shpejtë të jetë e mundur hapjen e negociatave për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian. Një detyrë tepër të rëndësishme ka Kuvendi ynë gjatë vitit që sapo nisi. Shqipëria sapo ka marrë Kryesinë e rradhës të OSBE për vitin 2020. Kjo përgjegjësi është një nder, por edhe një sfidë e madhe.”, nënvizoi Gramoz Ruçi.

100 vjetorin e Kongresit të Lushnjës e përshëndeti dhe kryedemokrati Lulzim Basha. Duke vlerësuar kontributin e patriotëve shqiptarë për mbrojtjen e interesave të vendit, Basha tha se Kongresi i Lushnjës është leksion për politikanët e sotëm. “Ata burra e gra që u angazhuan për mbajtjen e Kongresit të Lushnjes meritojnë një vend të përjetshëm në historinë e Shqipërisë. Kontributi i tyre është sot e gjithë ditën një leksion që duhet përsëritur vazhdimisht, në mënyrë që çdo shqiptar, qytetar i thjeshtë, aktivist, politikan a klerik të mos i humbasë prioritetet e veta.  Në fillim është kombi dhe mbrothësia e tij, më pas vijnë individët dhe karrierat e tyre. Respekti për qytetarin, për të drejtat dhe interesat e tij dhe përpjekja për të mbrojtur ligjet që sanksionojnë dinjitetin e tij janë detyrime të përhershme që na vijnë nga Kongresi i Lushnjes”, tha Basha.

100 vjet Kuvend, Ruçi: Drejtësia dhe reforma zgjedhore

Viti 2020, i cili shënoi 100 vjetorin e veprimtarisë së Kuvendit, ka nisur ditën e sotme me fjalën e kreut të këtij institucioni Gramoz Ruçi. Teksa përmendi ngjarjen e rëndë të tërmeti të 26 nëntorit, Ruçi falënderoi palët politike për sjelljen e treguar për përballimin e kësaj situate. Ai e quajti vitin 2020, vitin e punëve të mbaruara duke renditur disa nga objektivat për këtë vit, duke nisur nga integrimin, reforma zgjedhore, reforma në drejtësi dhe ashpërsimi i masave për të minimizuar rreziqet nga fatkeqësitë natyrore. Ai prezantoi edhe një investim të Kuvendit, për votimin elektronik i cili, tha ai, do të rrisë aksesin e deputetëve në zhvillimet e Kuvendit.

“Sesioni fillon pas një ngjarje të madhe tragjike të tërmetit të 26 nëntorit. Kjo situatë shërbeu për të treguar humanizmin e gjithë shqiptarëve si dhe dëshmoi përgjegjësinë e qeverisë për t’iu gjendur pranë. Vlerësoj qëndrimin e opozitës e cila mbi interesat politike vuri solidaritetin. Nga kjo ngjarje duhet të reflektojmë për projektligjet që duhet të miratojmë për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Kuvendi është kujdesuar që në buxhetin 2020 të parashikohen fonde për funksionimin normal të institucioneve. Pas mbledhjes së Këshillit Europian, i cili nuk hapi negociatat. Kuvendi vetëm sa na shton angazhimin dhe nuk na dekurajon. Në javën e parë të muajit shkurt presidenti i parlamentit europian do të vizitojë Shqipërinë. Ky sesion duhet dhe do të jetë sesioni i punëve të mbaruara. Gjatë këtij sesioni duhet të përqendrohemi në disa objektiva”, tha Ruçi.

Objektivat e Kuvendit

-Çelja e negociatave për anëtarësim para majit 2020. Do të rishikojmë ligjin për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit, do të rrisim transparencën dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile

-Përfundimi i Reformës Zgjedhore pas konsensusit të arritur me opozitën

-Gjatë sesionit të ri do të përfundojë ngritja e të gjithë organeve të drejtësisë. Kuvendi do punojë që sistemi i drejtësisë që mos grabisë qytetarët, por të jetë në shërbim të tyre

-Gjatë këtij sesioni do rishikojmë plotësimin dhe do hartojmë ligje të reja për përballimin e fatkeqësive natyrore si zjarret, përmbytjet, edukimin me kushtet antisizmike. Nuk mund të parandalojmë dukuritë natyrore por mund të minimizojmë rreziqet dhe dëmet prej tyre.

-Sistemi i ri i IT dhe votimit do fillojë të zbatohet dhe ofron mundësi që deputetët të njihen online me materialet që diskutohen në Kuvend. Kjo do të rrisë edhe aksesin e deputetëve në Kuvend

Ruçi kërkon tolerancë nga politika: Të mësojnë nga harmonia fetare

Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruci tha se politikanët nuk po munden dot të shtrijnë në marrëdhëniet e tyre politike të njëjtën harmoni që kemi me fetë. Gjatë fjalës së tij në konferencën ‘Feja si instrument për paqen’, Ruçi tha se politikanët besojnë tek partia më shumë se te ndjenjat, ndërsa besimtarët besojnë më shumë tek dashuria në zot sesa tek anëtarësimi në një bashkësi fetare. Pasi vlerësoi harmoninë fetare, Ruçi tha se kjo tolerancë duhet implementuar edhe në marrëdhëniet politike.

“Në fjalën time, do të ndajë disa mendime se përse harmoninë fetare si një nga krenaritë tona nuk kemi mundur ta shtrijmë në marrëdhëniet politike. Përse ne politikanët jemi më pak tolerant. Ose jo tolerant. Hipoteza ime lidhet se si janë ndërtuar institucionet fetare dhe ato politike. Këtu është një rrënjë problemi. Besimtarët tanë janë besimtarë të fesë sesa anëtar të institucioneve, idetë ndjenjat mbizotërojnë mbi anëtarësinë e tyre në institucion. Kjo ka bërë që të gjejnë pika të përbashkëta. Nga an tjetër në politikë, kemi simpati e anëtarësi që mbizotërojnë mbi ndjenjat. Besimtarët besojnë në zot, politikanët besojnë më shumë tek partitë. Institucionet fetare kanë bërë thirrje për tolerancë. Besimi dhe vlerat fetare janë zhvilluar në lidhje të ngushtë” tha Ruçi.

Shkarkimi i Metës, Ruçi jep garanci: Kushtetuesja, së shpejti funksionale

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka zhvilluar të martën një takim me delegacionin e ekspertëve të Komisionit të Venecias të cilët kanë vizituar Shqipërinë, pas kërkesës së bërë nga Kuvendi i Shqipërisë për të dhënë një opinion mbi nismën e kuvendit për të shkarkuar presidentit Ilir Meta për shkelje të rëndë të Kushtetutës.

Në këtë takim Ruçi, “vlerësoi gatishmërinë e angazhimit të Komisionit të Venecias, megjithë kohën e shkurtër të adresimit të kërkesave; seriozitetin e vizitave të ekspertëve të Komisionit në Shqipëri si edhe cilësinë e lartë të raporteve paraprake dhe përfundimtare të opinionit të Komisionit”.

Në këtë takim kreu i Kuvendit ka theksuar se maxhoranca është “maksimalisht e angazhuar për funksionalitetin Gjykatës Kushtetuese”.

Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese në këtë drejtim merr një rëndësi të veçantë, pasi është pikërisht ky institucion që do të thotë fjalën e fundit për shkarkimin ose jo të presidentit të republikës.

Pra fillimisht komisioni hetimor në përfundim të punimeve të tij do të hartojë një raport përfundimtar të cilin do ta paraqesë për miratim në Kuvend. Në raport do të përfshihet opinioni i Komisionit të Venecias si dhe konkluzionet e ligjvënësve shqiptarë dhe vendimi për shkarkimin ose jo të Metës. Raporti do të kalojë për votim në seancë dhe do të jetë Kuvendi që përmes votës do të vendosë shkarkimin ose jo të Metës. Në përfundim vendimi i Kuvendit do të marrë vulën e Gjykatës Kushtetuese. Ndaj dhe ngritja sa më parë e saj është vendimtare në këtë proces./realstory.al

Kryetari i Kuvendit me delegacionin e Komisionit te Venecias

Meta ‘aleancë’ me Ruçin, thumbon Ramën

Një ditë pasi u paraqit në Komisionin e Posaçëm Hetimor në Kuvend për shkarkimin e tij, Ilir Meta ka publikuar një foto në rrjetet sociale të martën në mëngjes. Në foton e publikuar nga Presidenti, Meta shfaqet në një takim me Gramoz Ruçin ku shihen të dy duke qeshur, ndërsa në sfond është dhe Kryeministri Rama. Në komentin e fotos, Meta shkruan se, pas dëshmisë në Komisionin Hetimor, kishte takuar Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, me të cilin, sipas tij, kishte diskutuar se dy grupet parlamentare më cilësore opozitare kanë qenë ato të vitit 1991/92 dhe `92-`96.

“Ishte kënaqësi dje të rikthehesha në Kuvend. Po kështu të shkëmbeja disa mendime dhe kujtime me Kryetarin e Kuvendit z.Gramoz Ruçi. Së bashku ramë dakord se dy grupet parlamentare më cilësore opozitare kanë qenë ai i PD në ’91-’92 dhe ai i PS në ’92-’96. Kjo më përforcon bindjen se në demokraci, cilësia është më e rëndësishme se sasia, për të udhëhequr ndryshimin e një shoqërie, edhe kur “sasia” duket fuqiplotë”, shkruan Meta.

Në fakt, ky koment i Metës duket si një mesazh drejtuar kreut të qeverisë, Edi Rama. Mazhoranca ka kërkuar votat e opozitës aktuale në Parlament për të votuar shkarkimin e Ilir Metës. Madje, mbështetja e opozitës parlamentare jo vetëm nuk ka munguar, por deputetët e saj kanë qenë gjithmonë më të gatshëm se kushdo në Kuvend për të votuar largimin e Ilir Metës nga posti i presidentit. Edhe gjatë dëshmisë në komisionin hetimor, ishin deputetët e opozitës që bën jo pak pyetje të ‘vështira’ për Metën, disa prej të cilave nuk iu përgjigj.

Ishte kënaqësi dje të rikthehesha në Kuvend. Po kështu të shkëmbeja disa mendime dhe kujtime me Kryetarin e Kuvendit…

Gepostet von Ilir Meta am Montag, 9. September 2019

Reforma Zgjedhore, PS fton zyrtarisht edhe opozitën jashtë Kuvendit

2 shtatori shënoi çeljen e sesionit të V parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë. Deputetët mbyllën kështu zyrtarisht pushimet dhe iu rikthyen miratimit të ligjeve në Kuvend, ku ky sesion i ri pritet të jetë mjaft i ngarkuar dhe me përgjegjshmëri të lartë duke u fokusuar tek reforma në drejtësi, reforma zgjedhore dhe integrimi i vendit. I pari që mori fjalën në Kuvend, ishte kryeparlamentari Gramoz Ruçi, i cili paraqiti planin e punës dhe prioritet që do të ketë ky parlament gjatë 2019. Prioritet i Kuvendit do të jetë Reforma Zgjedhore deklaroi Ruçi, ku i bëri edhe një herë thirrje opozitës që të marrë pjesë në diskutimin e saj dhe ndryshimet që kërkohen në këtë reformë në komisionin e posaçëm. Ruçi tha se dora e qeverisë është e shtrirë për opozitën jashtë parlamentit për reformën zgjedhore.

“Rekomandimi i komisionit për çeljen e negociatave është produkt i arritjeve në reformën në drejtësi. Në tetor shkojmë me siguri në plotësimin e këtyre detyrave. Dëshira e të gjithë shqiptarëve është çelja e negociatave. Ne duhet ta përdorim këtë fillim sesioni për të kompensuar atë që nuk bëmë mirë në sesionin e kaluar. Prandaj prioriteti i parë do të jetë përmbyllja e reformës zgjedhore. Do të jetë një produkt konsensual i Kuvendit duke përfshirë edhe opozitën jashtë parlamentare. Dora e shtrirë e Kuvendit nuk është mëshirë. Mbrojtja e Kushtetutës është garancia e Shqipërisë së nesërme. Reforma në drejtësi do të vijojë duke filluar me ngritjen e institucionet e reja.”- tha Ruçi

Gjatë fjalës së tij, Ruçi nuk la pa përmendur edhe akuzat që presidenti Meta dhe opozita jashtë parlamentare në lidhje me legjitimitetin e Kuvendit. Ai tha se Kuvendi është legjitim dhe funksional, pasi i ka votat e mjaftueshme për të miratuar çdo ligj, duke i kthyer kështu një përgjigje Metës dhe opozitës jo parlamentare, që e cilëson si jo legjitim.

“Me gjithë vështirësitë që u shkaktuan me lënien e mandateve nga opozita, kjo gjë nuk pengoi produktivitetin e Kuvendit. 40 nga 58 mandate u zëvendësuan shpejt, që ndihmoi në rikthimin e normalitetit dhe legjitimitetit të Kuvendit. Kuvendi fillon këtë sesion si funksional me kuorum kushtetues, me shumicë të kualifikuar për të miratuar çdo akt ligjor. Kjo shpreh edhe një përgjegjësi të lartë grupit opozitar, kushtetuese dhe politike për të cilën meritojnë mirënjohje. Kushtetuta u rezistoi aventurave duke shpëtuar sistemin nga kaosi dhe anarkia. “- tha Ruçi

Lajcak takon Ruçin: Protestat nuk mund të zëvendësojnë procesin parlamentar

Presidenti i OSBE-së, Miroslav Lajcak, në takimin që zhvilloi sot me kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi, teksa komentoi qëndrimin e opozitës, tha se protestat nuk mund të zëvendësojnë procesin parlamentar.

“Protestat janë një mjet demokratik, por ato nuk mund të zëvëndësojnë procesin parlamentar dhe debatin në Parlament. Opozita është zgjedhur për të ushtruar përgjegjësitë e saj parlamentare. Reformat duhet t’i vazhdoni në mënyrë të pakthyeshme dhe duke bërë kujdes të mos dëmtoni rezultatet e deritanishme. Parlamenti është funksional, ka kuorumin kushtetues dhe shumicat e nevojshme për të punuar normalisht dhe për të marrë vendimet e duhura në të mirë të vendit. Shqipëria nuk është një ishull i izoluar, por pjesë e organizatave ndërkombëtare dhe të gjithë partnerët ndërkombëtare e kanë bërë të qartë se askush nuk ka miratuar e nuk miraton veprimet e opozitës kundër sistemit. Asnjë arsye që ngre opozita nuk është argument për të braktisur mandatet dhe detyrimet parlamentare. Të gjithë ju inkurajojmë të ecni përpara dhe do të vazhdoni të kini mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë”, u shpreh Lajcak.

Ai tha se Shqipëria ka bërë progres të pamohueshëm në rrugën e reformave dhe shprehu besimin se do ta kryesojë në mënyrë të suksesshme OSBE-në gjatë vitit 2020.

“Shqipëria ka bërë hapa të pamohueshëm në reformat integruese dhe për këtë meritoni përgëzime”, tha Lajcak.

Në përgjigje të interesimit të Lajcak, Kryetari i KuvenditGramoz Ruçi, shpjegoi situatën politike në Shqipëri dhe vuri në dukje se pretendimet e opozitës për ilegjitimitetin e Kuvendit dhe mungesën e hapësirave demokratike për të ushtruar përgjegjësitë e saj parlamentare nuk qëndrojnë. “Zgjedhjet në Shqipëri gjithmonë kanë pasur probleme, por zgjedhjet e vitit 2017 kanë qenë të parat zgjedhje të kontrolluara nga opozita, e cila ishte në bashkëqeverisje; të parat zgjedhje të çertifikuara nga 40 mijë komisionerë, gjysma e të cilëve të opozitës; të parat zgjedhje për të cilat nuk ka pasur asnjë ankesë në Kolegjin Zgjedhor; zgjedhje që u paraprinë nga një fushatë e qetë, më e qeta në historinë e zgjedhjeve shqiptare. Ndërkohë, opozita, pas ndryshimet të Rregullores së Kuvendit me vullnetin e qartë të shumicës parlamentare, ka gëzuar të gjithë aksesin dhe të gjitha hapësirat për të ushtruar përgjegjësitë e saj parlamentare”, tha Ruçi.

Ruçi jep garanci nga Holanda: Nuk do zbatohet rezoluta për vizat

Holanda nuk do të zbatojë rezolutë për rikthimin e vizave për shqiptarët. Këtë garanci ka dhënë sot nga Holanda, kryetari i parlamentit, Gramoz Ruçi i cili po zhvillon takime me parlamentare atje. Ruçi bën të ditur se ka gjetur mirëkuptim nga deputetët holandezë për ecurinë e reformave të Shqipërisë, si dhe ka marrë garanci se nuk do të zbatohet rezoluta për rikthimin e vizave për shqiptarët.

“Kuvendi Shqipërisë në kuadër të objektivit strategjik për hapjen e negociatave ka muaj qe ka nisur tur vizitash në vende të shumta  e të rëndësishme të BE, në Gjermani, Itali sot në Hollandë. Kemi pasur takime në France, vende të Ballkanit, anëtare të BE. Do kemi takime në Çeki. Sot jemi në Hollandë, ku paraqitem në Parlamentin Hollandez arritjet e Shqipëisë në  kuadër të pesë prioriteteve. Nga kontaktet ne fitojmë duke sqaruar mbi skepticizim apo paqartesitë mbi arritjet tona. Pavarësisht nga jehona mediatike për skepticizmin e Hollandës gjetëm mirëkuptim të plotë, deklaruan se po presin përfundimin e zgjedhjeve europiane, rekomandimin e KE dhe ne fund do shprehen lidhur me vendimin e Hollandës për negociatat.

Sa i takon rezolutës së parlamentit holandez për vizat, një nga deputetët hollandez që votoi rezolutën, tha se nuk do zbatohet”, tha Ruçi.

Në këtë vizitë Ruçi shoqërohej edhe nga Rudina Hajdari e cila përfaqëson opozitën e re në Kuvend. këtë e vuri në dukje edhe Ruçi i cili tha se vendi e ka një opozitë parlamentare dhe se në asnjë takim nuk është pyetur për opozitën jashtë parlamentit.

“Shqipëria ka një opozitë parlamentare. Zonja Hajdari, në takimet këtu në Hollandë, deputetë dhe miq të Hollandës, paraqiti mendimet e saj opozitare, objektive dhe realiste, dhe shprehu se hapja e negociatave është interes kombëtar. Takimet kane qenë  të hapura dhe nuk jam pyetur asnjëherë për opozitën jashtëparlamentare, pasi braktisja e institucioneve dhe parlamentit është e pakuptueshme. Shqipëria ka një parlament dhe një mazhorancë dhe i vetmi mekanizëm për të lëvizur këtë mazhorancë, janë mocionet e besimit, mosbesimit dhe zgjedhjet.  Nuk jam ndjerë asnjëherë i rrezikuar nga protestat e opozitës”, u shpreh kryetari i Kuvendit.

Skip to toolbar