Kryeministri Rama ka vlerësuar qëndrimin e opozitës për t’u bërë pjesë e procesit të reformës zgjedhore për implementimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Nga Vjena, Rama tha se ka një proces dakordësimi për Reformën Zgjedhore duke tejkaluar krizën artificiale që u injektuar në politikën shqiptare nga një palë.
“Është një krizë artificiale e injektuar në politikën shqiptare nga njëra palë, por është shumë e rëndësishme që sot jemi në një proces dakordësie lidhur me reformën zgjedhore, pikërisht për implementimin në tekstin e legjislacionit tonë të rekomandimeve të OSBE. Kështu që nuk mendoj që në këtë familje vendesh përfaqësojmë ndonjë vend me ndonjë krizë të veçantë. Ajo që është fakt është që opozita ka shprehur dhe ju e keni dëgjuar, me të dëgjuar e kam, dakordësinë për t’u përfshirë në proces. Kjo është një shenjë shumë e mirë, për rekomandimet e OSBE. Kemi një bosht objektiv që nuk kemi nga luajmë as njëra palë as tjetra. Kjo është një bazë e mirë”, u shpreh Rama.
Dy ditë më parë kreu i PD-së, Lulzim Basha mblodhi grupin e punës për Reformën Zgjedhore dhe shumë shpejt pritet që demokratët të bëjnë publike propozimet e tyre. PD shprehet se opozita e bashkuar ka shprehur që në tetor 2019 vullnetin e qartë për të qenë pjesë e Reformës Zgjedhore, si një nga çështjet e përfshira në 5 pikat kyçe që opozita i dorëzoi Qeverisë dhe partnerëve ndërkombëtar në Tryezën e organizuar nga OSBE.