Rezoluta/ Kongresi i SHBA vlerëson Shqipërinë për strehimin e opozitës iraniane

AKTUALITET


Anëtarë nga të dy krahët politikë të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA paraqitën një rezolutë dypartiake, që bën thirrje për një qasje të re ndaj Iranit.

Kjo, nisur nga intensifikimi i protestave të qytetarëve të vendit islamik dhe nga rritja e represionit të regjimit të ajatollahëve.


Rezoluta, e sponsorizuar nga një numër komisionesh parlamentare të Kongresit amerikan, përfshirë këtu atë për punët e jashtme, për forcat e armatosura dhe sigurinë, mori mbështetjen e shumicës së anëtarëve të Dhomës.

Nisur nga fakti se anëtarët kryesorë të opozitës iraniane ndodhen në Shqipëri, kongresmeni Robert Aderholt, bashkëkryetar i Grupit për Çështjet e Shqipërisë, vlerësoi rolin e vendit tonë në strehimin e tyre.

“Unë dua vetëm të falënderoj qeverinë shqiptare për mbështetjen e saj dhe dua të bëj gjithçka që mundem për t’i inkurajuar ata që të mbështesin një Iran të lirë”, tha Aderholt, kongresmen në SHBA.

Rezoluta i kërkon administratës Biden të mbështesë luftën e popullit iranian për demokraci dhe të drejtat e njeriut, ndërsa dënon shkeljen e tyre nga regjimi iranian dhe mbështetjen e tij ndaj terrorizmit.

Gjithashtu, dokumenti i bën thirrje administratës që të ndërmarrë hapa për ta mbajtur regjimin përgjegjës për sjelljen e tij, për aktivitetin bërthamor dhe për programin e raketave balistike.




Skip to toolbar