Kukësi ka zyrtarizuar largimin e parë nga ekipi për këtë sezon, që në fakt nuk është një lojtar, por një anëtar i stafit teknik. Më konkretisht, zëvendës trajneri Rrahman Hallaçi, që mbetet një nga lojtarët më të dëshiruar për tifozët e Kukësit, është larguar përfundimisht nga skuadra. Lajmi për largimin e tij doli pak ditë më parë në media, por sot është konfirmuar zyrtarisht nga Kukësi.
“Zëvendës trajneri i skuadrës së Futboll Klub Kukësit, Rraman Hallaçi nuk do të jetë më pjesë e stafit teknik. Pas një takimi mes ish-Kapitenit dhe Presidentit Safet Gjici, Hallaçi ka kërkuar të drejtojë një skuadër futbolli të moshave”, shkruhet në njoftimin e Kukësit.
Më tej, në deklaratën bërë në faqen zyrtare në Facebook, Kukësi sqaron edhe arsyen e largimit të Rrahman Hallaçit nga klubi, e cila është: “Numri një i Klubit, i ka ofruar ekipin e dytë, pra FK Kukësin B, pasi presidenti Gjici synon, vitin tjetër, ngjitjen e kësaj skuadre në Kategorinë e Parë dhe kjo do ishte një hap i mirë për karrierën e tij të re si trajner”.
“Pasi kishin rënë fillimisht dakord, për çdo gjë me Presidentin, për një fillim me Kukësin B, Rraman Hallaçi ka ndryshuar mendjen dhe ka vendosur të largohet nga klubi. Ai u shfaq në një tjetër ekip, duke trajnuar skuadrën e Internacional U-19. Futboll Klub Kukësi falenderon zëvendës trajnerin Rraman Hallaçi, për kontributin e dhënë si futbollist dhe si numri dy i pankinës së skuadrës sonë dhe i dëshiron shumë suksese në karrierë!”, përfundon njoftimi i klubit verilindor.