Rrëfimi i Sokol Olldashit: Si i vodhën zgjedhjet Berisha dhe Basha në PD

Më të fundit


Në një situatë ku tensionet politike dhe akuzat për vjedhjen e votave janë në maksimum, gazeta tema ka risjell një deklaratë të të ndjerit Sokol Olldashi. Deklarata vjen pas momentit kur ai humbi zgjedhjet për kreun e Partisë Demokratike, që u fituan nga Lulzim Basha. Në atë kohë Olladashi u shpreh se përzgjedhja e kryetarit të ri të PD-së u bë përmes një procesi tërësisht të deformuar dhe se në asnjë çast nuk u qartësua procedura e përgatitjes së listave.

Ky prononcim merr vlerë në këtë situatë kur PD me në krye Lulzim Bashën akuzon qeverinë Rama për vjedhje të votave pas publikimit të përgjimeve të BILD. Përgjime që në fakt Basha i ka pasur që para marrëveshjes së 17 majit 2017 të bërë me kryeministrin Rama.

Pas humbjes së zgjedhjeve të 2013, Berisha dha formalisht dorëheqjen nga kreu i PD, për t’ia dorëzuar partinë Lulzim Bashës si një person i besuar nga familja. Basha ishte i vetmi nga figurat e PD, i cili gjatë përgjimeve, nuk kishte folur keq për Shkëlzenin dhe Argitën.

Por, për të emëruar Bashën në krye të PD, Berisha duhet të kalonte një pengesë të fortë. Ai ishte Sokol Olldashi, personi që përbënte rrezikun kryesor për Bashën e brishtë, i cili nuk kishte asnjë lidhje me bazën, por kishte hyrë në PD dhe kishte bërë karrierë si shok i Argitës.

Berisha dhe Basha u angazhuan në manipulimin e zgjedhjeve në PD, duke shpallur Bashën fitues përballë Olldashit. Manipulimi solli reagimin e fortë të Olldashit, në atë kohë i cili tha:

“Përzgjedhja e kryetarit të ri të PD-së u bë përmes një procesi tërësisht të deformuar. Në asnjë çast nuk u qartësua procedura e përgatitjes së listave dhe, për më tepër, në asnjë moment listat nuk u vunë në dispozicionin tim.

Do të thotë që në mënyrë anormale unë garova pa ditur se cili ishte korpusi i votuesve. Dita e votimit provoi se mijëra demokratë nuk gjetën emrat në listë, ndërsa mijëra të tjerë u anëtarësuan në listën e votuesve në dy javët e fundit. Shpresoj që pas votimit këta të anëtarësohen edhe në PD”.

Olldashi deklaroi se këshilltarët e Sali Berishës dhe shumë drejtues degësh bënë fushatë për Lulzim Bashën. “Procesi, për të cilin m’u dhanë të gjitha garancitë se do të ishte jashtë ndikimeve, në fakt nuk mbeti asnjë ditë i tillë. Në një mënyrë që dukej e sinkronizuar, këshilltarë, drejtues korporatash, kryetarë degësh u përfshinë në të, në mënyrë tërësisht të njëanshme, ndërkohë që, cilido që shfaqi parapëlqime të padëshiruara në favor tim, u pezullua, – gjë që ndodhi edhe me ndonjë kryetar lokal PD-je -, u përjashtua – siç ndodhi me anëtarë të PD-së në Shkodër e Korçë – apo u pushua nga puna, – siç ndodhi me drejtues rajonalë të korporatave në Sarandë apo Vlorë. Intimidimi u kurorëzua me fletën e numerizuar të votimit që e bënte lehtësisht të mundur identifikimin e votuesit. Nga ana tjetër, tensionimi i strukturave ishte tërësisht i panevojshëm”.

Në fund, Olldashi u dha një mesazh Berishës dhe Bashës. Ai tha se nuk do të largohej nga PD-ja. Kjo do të thoshte se Olldashi do të ishte përballë Bashës sa herë që Basha të humbte zgjedhjet.

Që nga ajo kohe, Basha ka humbur të gjitha zgjedhjet përballë Edi Ramës.

Në atë kohë Olldashi u shpreh:

“Unë i ftoj të gjithë demokratët që nuk janë ndjerë mirë me këtë proces, të kuptojnë se Partia Demokratike është një shtëpi e madhe, e ndërtuar me kontributin vullnetar të secilit prej nesh dhe, në një shtëpi të madhe, qëllon që edhe prishen rregullat apo humori.

Por, pavarësisht momenteve të tilla, ne mbetemi anëtarë të së njëjtës familje, edhe pas ndonjë nervozizmi apo pezmi. Unë mbetem i vendosur të përfaqësoj me gjithë energjitë e mia njerëzore dhe politike militantët e Partisë Demokratike në misionin për ta bërë Partinë Demokratike më të mirë. Unë mbetem i vendosur të përfaqësoj me gjithë energjitë e mia njerëzore dhe politike militantët e Partisë Demokratike, në misionin e tyre opozitar për t’u dhënë qytetarëve shqiptarë një kartë morale opozitare”.

Disa javë më vonë, Olldashi ndërroi jetë.



Skip to toolbar